Vendosni fjalën kyçe....

Lumi i protestuesve vërshon në rrugët e Tiranës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës


Protesta kundër qeverisë në Tiranë po zhvillohet për të 11-ën ditë radhazi, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbushur sërish rrugët e kryeqytetit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Marshimi i protestuesve shoqërohet me thirrje si “Mos u provokoni” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, ndërsa pjesëmarrësit po ngrenë shqetësime edhe për kërcënimet që pretendojnë se kanë marrë gjatë ditëve të fundit.

Një prej qytetarëve deklaroi se pjesëmarrja masive është një mesazh i qartë për klasën politike.

“Sot populli shqiptar e ka tejkaluar veten deri te sheshi Skënderbej. Sot populli shqiptar i ka dhënë mesazh klasës politike që ne nuk tërhiqemi,”u shpreh ai.

Një tjetër protestues iu referua deklaratave të kryeministrit Rama lidhur me protestat.

“Rama tha se as po të jenë 500 mijë nuk e jap dorëheqjen. Hapni kamerat dhe shikoni sa jemi sot,” tha qytetari.

Ndërkohë, pas përfundimit të grumbullimit përpara godinës së Kryeministrisë dhe fjalimeve të mbajtura në podium, protesta po vijon me marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.

Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit po lëvizin në formë marshimi, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin në disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Me dritat e telefonave të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, turma po marshon përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit.

Protesta mbetet në zhvillim, ndërsa qytetarët deklarojnë se do të vazhdojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.