Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm rus: SHBA mendon se vetëm ajo ka “status special”


Kryediplomati rus Sergej Lavrov ka kritikuar homologun e tij amerikan për komentet mbi operacionin paqeruajtës të Kazakistanit.

Reagimi amerikan ndaj operacionit të fundit paqeruajtës të udhëhequr nga Rusia në Kazakistan është një shenjë se SHBA mendon se vetëm ajo ka “status të veçantë” për të ruajtur ligjin dhe rendin në mbarë botën. Kështu ka thënë sipas RT-së, kryediplomati i Moskës pas bisedimeve në Gjenevë.

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov foli në një konferencë për shtyp të premten, menjëherë pas një takimi me homologun e tij amerikan, Antony Blinken. Diplomati rus tha se të dy kishin diskutuar një sërë zhvillimesh të fundit politike dhe se ai kishte kërkuar një shpjegim për komentet që Blinken bëri në lidhje me praninë e forcave paqeruajtëse ruse në Kazakistan nën kujdesin e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), prej të cilave Rusia dhe Kazakistani janë anëtarë.

“Sa për sferat e ndikimit, i kërkova Antony Blinken të shpjegohej.”– u tha Lavrov gazetarëve. “Pasi presidenti i Kazakistanit kërkoi ndihmë nga CSTO për të shtypur terroristët, bazuar në kapitullin e CSTO-së për ndihmë, pati kërkesa që Kazakistani të shpjegonte pse bëri atë që bëri. Kjo ilustron se Perëndimi është i sigurt për statusin e tij të veçantë. Atyre u lejohet të bëjnë gjithçka, dhe të tjerëve nuk u lejohet të bëjnë asgjë. Shikoni se si po sillet BE-ja.”

Kujtojmë se kur shpërthyen trazirat masive në Kazakistan në fillim të këtij muaji, presidenti Kassym-Jomart Tokayev pretendoi se protestuesit ishin “terroristë të huaj” dhe kërkoi ndihmë nga CSTO, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia, për të frenuar protestat. Disa mijëra trupa, kryesisht ruse, u dërguan në vend për të ruajtur objektet strategjike.

Mirëpo më 7 janar, Blinken paralajmëroi se kjo mund të ishte një shenjë se Moska kishte ambicie ushtarake në Kazakistan. Ai shprehej se “një mësim i historisë së fundit është se kur rusët janë në shtëpinë tuaj, ndonjëherë është shumë e vështirë t’i detyrosh ata të largohen”.

Megjithatë, javën e kaluar, organizata deklaroi se misioni kishte qenë një sukses dhe se forcat po fillonin tërheqjen e tyre. Qeveria e Kazakistanit njoftoi se të paktën 225 njerëz kishin vdekur në protesta dhe më shumë se 4 mijë e 500 u plagosën.

Lavrov dhe Blinken u takuan të premten në Gjenevë me qëllimin për të zgjidhur tensionet në rritje mbi sigurinë evropiane, veçanërisht në lidhje me Ukrainën. Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur frikën për muaj të tërë se Rusia mund të planifikojë një pushtim të afërt të fqinjit të saj, gjë që Kremlini e ka mohuar. Moska ndërkohë ka kërkuar garanci me shkrim se NATO nuk do të zgjerohet në Ukrainë apo Gjeorgji, një marrëveshje që liderët amerikanë kanë thënë se është jashtë tryezës.