
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka finalizuar operacionin e koduar “Fast”, në kuadër të përpjekjeve për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i operacionit, në Shëngjin u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Spanjës shtetasi Orgito Paloka, 22 vjeç, lindur në Lezhë.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale me autoritetet spanjolle përmes rrjetit ENFAST. Hetimet kishin treguar se 22-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, fshihej në qarkun e Lezhës.
Orgito Paloka kërkohej nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Ibizës në Spanjë kishte lëshuar më 18 maj 2026 një urdhër-arresti ndaj tij për veprën penale “Vrasje”, e mbetur në tentativë.
Policia bën me dije se po vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e 22-vjeçarit drejt Spanjës, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.