Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec, duke zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur qytetarëve që kundërshtojnë investimin në zonën e mbrojtur.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u bëri thirrje protestuesve që, nëse shkojnë sërish në zonë për të mbrojtur flamingot, të mos futen me automjete deri pranë bregdetit dhe të mos lënë mbeturina pas.
“Kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre, se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty dhe do marrin arratinë”, shkroi Rama.
Kryeministri pretendoi se flamingot ishin larguar nga zona edhe përpara vendosjes së moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë, ndërsa sugjeroi që protestuesit t’i lënë automjetet pranë rrugës dhe të ecin deri në breg të detit.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për ndotjen e mjedisit, duke pretenduar se pas protestës në zonë kishin mbetur kanoçe birre dhe mbeturina të tjera.
“T’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës”, vijoi Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pas disa ditësh protestash të njëpasnjëshme kundër projektit në Zvërnec, të cilat kanë mbledhur mijëra qytetarë në Tiranë dhe kanë ndezur debatin publik mbi investimin, mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e pronësisë në zonë.
REAGIMI I RAMES
MIRËMËNGJES 😊
dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre – se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë – po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë🦩
