Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Të rinjtë po protestojnë sepse nuk i besojnë më qeverisë, po tentohet t’u mbyllet goja



Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka deklaruar në Kuvend se protestat e fundit të të rinjve janë shenjë e mosbesimit ndaj qeverisë dhe politikës në tërësi.

Sipas tij, mazhoranca po përpiqet të pengojë dhe të kontrollojë protestat, duke synuar, siç u shpreh, të kufizojë zërin e qytetarëve.

“E ke parë atë pikën e vogël sa është bërë… keni vjedhur shqiptarët për 35 vite, jeni pasuruar. Dhe tani flisni për pika A, pika B… Ky është ligj korruptiv për të vjedhur pronat e qytetarëve”, tha Shehaj gjatë fjalës së tij.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për, sipas tij, favorizim të interesave të caktuara dhe mungesë transparence në vendimmarrje.

“Tani nxirrni Bidot dhe Taulantët… nuk u mbyllni dot gojën atyre që janë aty. Ata protestuan, nuk shkuan vetëm te selia e PS, por edhe te PD”, deklaroi ai, duke shtuar se sipas tij qytetarët “janë ngritur sepse nuk besojnë më institucionet”.

Shehaj vijoi me kritika të forta ndaj qeverisë dhe deputetëve të mazhorancës, duke e përshkruar situatën politike si të degraduar dhe të lidhur me interesa personale dhe jo publike.