
Lëvizja qytetare ka shpalosur pesë pika të panegociueshme ndaj kryeministrit Rama.
Kërkesa u lexua nga një prej protestuesve ndërsa ato përfshijnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e Ligjit për Investitorët Strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve ligjore për Trashëgiminë Kulturore.
“Pas 5 ditësh protestash të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosshmërinë e Sovranit për të përmbushur kërkesat tona, ju njoftojmë se kjo nismë mbështetet nga një grup me integritet. Gra dhe burra dinjitozë, të vendosur për të çuar deri në fund kërkesat e sovranit, do të dimë të marrim në kohë të duhur vendimet e duhura. Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj një rreziku të madh ku ndodhet vendi ynë. Deklaroj se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauzë ta drejtë kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë. Paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të lirisë dhe interesit kombëtar.
1-Dorëheqjen e qeverisë
2-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë
3-Shfuqizimin e Paketës së Maleve
4-Anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura
5-Anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare”, tha protestuesi.