
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca me anëtarë të kabinetit qeveritar, përfshirë dy interpelanca me kryeministrin Edi Rama.
Interpelanca e parë me kreun e qeverisë është kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, ndërsa e dyta nga deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Gjatë seancës pritet të zhvillohet gjithashtu një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputetë të opozitës. Në rend dite janë përfshirë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Kliti Hoti dhe Gjin Gjoni.
Po ashtu, deputeti Erald Kapri ka kërkuar një interpelancë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Përveç interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, si dhe projektligjin “Për nënproduktet me origjinë shtazore”.
Seanca pritet të shoqërohet me debate politike, ndërsa në fund të saj janë parashikuar edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.