Vendosni fjalën kyçe....

Vetëm 2 ditë afat për aplikimin e Paqes Fiskale; Tatimet: Nuk do të ketë shtyrje


Kanë mbetur edhe 2 ditë nga përfundimi i afatit për aplikimin e Marrëveshjes të Paqes Fiskale. Bizneset kanë kohë deri më 5 qershor për të paraqitur kërkesën e tyre në e-Filing për përfshirje në këtë skemë.

Pavarësisht kohës së kufizuar për kryerjen e aplikimeve (aplikimet nisën më 15 Maj 2026 dhe mbyllen më 5 Qershor), Monitor mëson se nga administrata tatimore nuk pritet të ketë shtyrje të afatit të aplikimeve.

Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë një takimi informues me bizneset anëtare të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), kanë sqaruar se zgjatja e afatit do të shkurtonte periudhën minimale njëvjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit.

Shtyrje të afateve për zbatimet e dy ligjeve, të marrëveshjes së paqes fiskale dhe fshirjes së detyrimeve u kërkuan edhe kontabilistët dhe ekspertët e auditit.

Audituesi ligjor Bujar Bendo pohoi më herët për Monitor se udhëzimet e ligjeve janë miratuar dy muaj me vonesë, ndërsa afatet për zbatimin e tyre janë shumë të kufizuara, “çka mund të krijojë shumë probleme me zbatueshmërinë e procesit”, pohon ai.

Edhe kontabilisti Sotiraq Dhamo vlerësoi më herët se bizneset kanë shumë pak kohë për të përfituar nga falja e detyrimeve dhe gjobave.

Ndërkohë DPT sqaroi se deri më 10 qershor do të përfundojë procesi i verifikimit të dokumentacionit të aplikantëve. Sipas informacioneve paraprake mësohet se interesi i bizneseve për të aplikuar për marrëveshjen e paqes fiskale nuk është i lartë.

Krahas nënshkrimit të marrëveshjes bizneset mund të kryejnë edhe rideklarimin e pasqyrave financiare kundrejt tatimit 5%.

Sipas sqarimeve të administratës tatimore në takimet e zhvilluara me bizneset rideklarimi i pasqyrave financiare lejohet vetëm një herë për vitet 2023–2025 dhe duhet të përfundojë deri më 30.06.2026. Kushti kryesor për rideklarimin e pasqyrave është që biznesi duhet të ketë lidhur marrëveshjen e paqes fiskale me tatimet.

Po ashtu subjektet mund të ndryshojnë deri në 30% të zërave të aktiveve, detyrimeve dhe kapitaleve pa gjoba apo kamatëvonesa, por me pagesë tatimi 5% për çdo ndryshim. Procesi dorëzohet në e-Filing dhe synon korrigjimin e deklarimeve financiare të mëparshme./Monitor