
Deputeti Vangjel Dule tha sot në Kuvend se dhuna ndaj protesuesve në Zvërnec, nga rojet private, ka qenë e porositur nga vetë kryeministri Edi Rama.
Sa i përket pretendimeve të disa qytetarëve se kanë pronësinë e disa sipërfaqeve në zonën ku është planifikuar të ndërtohet resorti, Dule tha se shteti duhet të pezullojë vazhdimin e investimit deri në sqarimin e së vërtetës.
“Dhunuesit ishin të njëjtë në të njëjtën kohë dhe grabitësit, ata që në emër të zhvillimit nuk pyetnin për trashëgiminë, për natyrën, nuk pyetnin as për të drejtat e pronës. Pyetja është: ku e gjen guximin grabitësi të ketë të njëjtën kohë dhunuesin? Kjo vjen vetëm kur ka mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të pushtetit, dhe pushteti në këtë vend i takon vetëm Edi Ramës. Dhunuesit dhe grabitësit vepronin me urdhër dhe me porosi dhe në emër të Edi Ramës. Solli në këtë Kuvend ligjin për shtyrjen e investimeve strategjike deri në fund të vitit 2027, në të njëjtën kohë bën karshillëk në BE dhe shtiret se kemi vështirësi të kthejmë pronat. Në një kohë që nuk bën atë që do bënte çdo shtetas i ndershëm, që do të thotë të pezullojë çdo investim strategjik deri sa të zgjidhet çështja e pronave.” – tha Dule.