Vendosni fjalën kyçe....

“Çfarë tjetër të bëjë shteti”- Rama: Sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme, u morën masa të menjëhershme


Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin turistik në Zvërnec, duke i cilësuar kundërshtimet ndaj tij si sulme politike dhe konkurrencë ndaj zhvillimit të vendit.

Duke komentuar incidentin gjatë protestës në Portonovë, Rama e quajti “të neveritshme” sjelljen e kompanisë së sigurisë dhe të drejtuesve vendorë të policisë.

Ai theksoi se autoritetet reaguan menjëherë me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, hetimin e zinxhirit përgjegjës, heqjen e licencës së kompanisë së sigurisë dhe procedimin penal të personave të përfshirë.

“Sulmet politike mbi projektin, nga forca të brendshme që predikojnë ose të kthehemi në komunizëm, ose urrejtjen ndaj shteteve të tjera ose forca të jashtme, nuk e duan këtë projekt. Kjo është konkurrencë. Ne kemi hyrë në një territor shumë të ndryshëm nga ai që kemi qenë. Ky, siç e ka ngritur vëmendjen globale ndaj Shqipërisë, do të ngrejë nivelin e saj.

Sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme dhe jo më pak e neveritshme ishte sjellja e drejtuesve të sigurisë vendore, gjë për të cilën ka pasur reagim të menjëhershëm nga ana e lidershipit të Policisë së Shtetit, qoftë me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës dhe vendosjen nën hetim të gjithë zinxhirit, heqjen e licencës së kompanisë, arrestimin dhe ndjekjen penale të sigurisë.

Nuk di se çfarë tjetër mund të bëjë shteti. Nuk ka asnjë relativizim të dhunës, edhe për atë relativizim, u kërkua ndjesë, u bë edhe shkarkimi dhe vendosja nën hetim e gjithë zinxhirit”, tha Rama.