Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti hungarez refuzon të japë dorëheqjen, përplaset me kryeministrin Magyar


Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, ka refuzuar të japë dorëheqjen pavarësisht ultimatumit të vendosur nga kryeministri Péter Magyar, duke thelluar përplasjen institucionale në vend.

Në një video të publikuar në Facebook, Sulyok deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet nga posti dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë, duke mbështetur gjithashtu legjislacionin e nevojshëm për zhbllokimin e fondeve të Bashkimit Europian për Hungarinë, përcjell Euronews.

Presidenti tha se çështja duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe bëri të ditur se i është drejtuar për opinion Komisionit të Venecias.

Afati i vendosur nga kryeministri Magyar për dorëheqjen e presidentit dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë skadoi të dielën në mbrëmje. Mes personave që qeveria kishte kërkuar të largoheshin nga detyra ishte edhe Prokurori i Përgjithshëm, Gábor Bálint Nagy.

Kryeministri reagoi menjëherë ndaj vendimit të presidentit për të qëndruar në detyrë.

“Tamás Sulyok nuk ka mbrojtur kurrë të pambrojturit, ata që janë sulmuar apo shtetin e së drejtës. Edhe në Ditën e Fëmijëve ai po mbron vetëm pagën e tij mujore prej 6.3 milionë forintësh, në vend që të kërkojë falje,” shkroi Magyar në Facebook.

Më herët gjatë ditës, kreu i qeverisë kishte kujtuar publikisht afatin e dorëheqjes dhe njoftoi se të hënën në mëngjes do të vizitonte presidentin së bashku me ministrin e Drejtësisë.

Magyar ka qenë prej kohësh kritik ndaj Sulyokut, të cilin e ka cilësuar si “presidenti kukull i Viktor Orbánit”. Sipas tij, ish-kryeministri dhe lideri i Fidesz-it dëshironte një president besnik ndaj partisë së tij, duke vendosur në plan të dytë mbrojtjen e kushtetutës dhe unitetit kombëtar.

Në deklaratën e së dielës, Sulyok përsëriti se nuk do të largohet nga posti dhe se çdo veprim duhet të respektojë procedurat kushtetuese të vendit.

Sipas sistemit kushtetues hungarez, presidenti zgjidhet nga parlamenti dhe ushtron kryesisht funksione ceremoniale, megjithëse ka edhe kompetenca në shqyrtimin kushtetues të ligjeve.

Presidentët e zgjedhur me shumicën kushtetuese të Fidesz-it, përfshirë Pál Schmitt, János Áder, Katalin Novák dhe Tamás Sulyok, janë konsideruar gjerësisht si figura të afërta me qeveritë e Viktor Orbánit.

Përplasja e fundit mes presidentit dhe kryeministrit pritet të rrisë tensionet politike në Hungari, ndërsa vendi përballet edhe me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet me Bashkimin Europian.