Vendosni fjalën kyçe....

Festimet për triumfin e PSG-së në Champions përfundojnë në kaos, 780 të arrestuar në Francë


Policia franceze ka arrestuar 780 persona pas përplasjeve të dhunshme që shpërthyen në Paris dhe qytete të tjera të Francës gjatë festimeve për fitoren e Paris Saint-Germain ndaj Arsenalit në finalen e Ligës së Kampionëve.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se 57 efektivë policie mbetën të plagosur, shumica me lëndime të lehta, ndërsa grupe tifozësh i vunë flakën automjeteve, shkaktuan dëme në dyqane dhe u përplasën me forcat e rendit, sipas The Guardian.

Në një konferencë për mediat të dielën, Nuñez deklaroi se situata ishte vënë kryesisht nën kontroll.

“Shumica e festimeve u zhvilluan në mënyrë paqësore,” tha ai, duke shtuar se incidentet më të rënda u regjistruan në zonën e Champs-Élysées dhe pranë stadiumit Parc des Princes, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen.

Sipas ministrit, incidente janë regjistruar në rreth 15 qytete të Francës. Nga 780 të arrestuarit, 480 ndalime janë kryer vetëm në rajonin e Parisit.

Prokuroria e Parisit bëri të ditur se 277 persona janë vendosur në paraburgim, mes tyre 82 të mitur. Akuzat përfshijnë sulm ndaj punonjësve të policisë, vandalizëm, vjedhje dhe prishje të rendit publik.

Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi kur një drejtues automjeti humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me tarracën e një restoranti, duke plagosur dy persona, njëri prej tyre rëndë.

Pavarësisht trazirave të natës, autoritetet nuk anuluan festimet zyrtare të planifikuara të dielën në Champ de Mars, pranë Kullës Eiffel, ku pritej pjesëmarrja e deri në 100 mijë tifozëve nën masa të rrepta sigurie.

Pamjet e transmetuara nga mediat franceze treguan përplasje sporadike pranë stadiumit Parc des Princes, ku më shumë se 40 mijë tifozë ndoqën triumfin e PSG-së në ekranet gjigante.

Raportimet bëjnë të ditur se disa tifozë hodhën fishekzjarre drejt policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Në disa zona të kryeqytetit u panë biçikleta dhe automjete të djegura, ndërsa tymi u ngrit në disa lagje gjatë natës.

Autoritetet franceze kishin angazhuar rreth 22 mijë efektivë policie për ruajtjen e rendit gjatë festimeve.

Prefektura e Policisë së Parisit njoftoi se grupe të vogla personash vandalizuan dyqane, i vunë flakën automjeteve dhe shkaktuan trazira në disa zona të qytetit. Sipas policisë, një grup tentoi gjithashtu të hynte me forcë në një komisariat në lagjen e 8-të të Parisit, por u shpërnda shpejt nga forcat e rendit.

Ngjarjet rikthyen kujtimet e festimeve të vitit të kaluar, kur pas triumfit të parë të PSG-së në Ligën e Kampionëve humbën jetën dy persona dhe afro 200 të tjerë mbetën të plagosur në incidente të ndryshme në të gjithë Francën.