Vendosni fjalën kyçe....

Siguria ushqimore, Gjylameti: Asnjë produkt i rrezikshëm s’do të jetë në treg


Blerina Gjylameti, drejtoreshë e AKU, deklaroi se siguria ushqimore është një standard i panegociueshëm i Bashkimit Evropian.

“Siguria ushqimore është standard i panegociueshëm. Asnjë produkt që rrezikon shëndetin e qytetarëve nuk do të jetë pjesë e tregut. Respektimi i kërkesave është i detyrueshëm për të gjithë dhe pa diferencime”, tha ajo.

Ajo theksoi se çdo biznes duhet të përmbushë kërkesat brenda afatit, përndryshe rrezikon të mbetet jashtë tregut europian.

Sipas Gjylametit, fokusi është te rritja e standardeve, menaxhimi i produkteve me origjinë shtazore dhe modernizimi i laboratorëve e infrastrukturës, për të garantuar kontroll më të shpejtë dhe cilësor.

“Sfida e parë është rritja e standardeve dhe stabilimenteve ushqimore. Standardet duhet të përmbushen në kohën e duhur ose do të mbeten jashtë BE. Ky tranzicion s’duhet të jetë barrë, por mundësi zhvillimi. Elementi kritik është menaxhimi i produkteve me origjinë shtazore dhe konsolidimi i thertoreve. Kjo garanton gjurmueshmërinë e plotë dhe eliminon rrezikun për kontaminim.

Synohet ngritja e 4 laboratorëve dhe pajisja me mjete bashkëkohore dhe po investohet në rritjen e infrastrukturës në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo do të rrisë kohën, cilësinë dhe shpejtësinë e kontrolleve. Qëllimi është një sistem i matshëm dhe i drejtpërdrejtë”, tha Gjylameti.