Vendosni fjalën kyçe....

“Më 26 maj në Bruksel nis përmbyllja e procesit”- Rama: Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua, Shqipëria fitoi


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit nga vendet anëtare të Bashkimit Europian të qëndrimit të përbashkët për avancimin e Shqipërisë në një fazë të re të negociatave për anëtarësim.

Përmes një reagimi publik, Rama ironizoi opozitën dhe kritikët e qeverisë, duke thënë se ata kishin paralajmëruar bllokimin e negociatave dhe “ndëshkimin” e Shqipërisë nga Europa.

“U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.”

“Ky është një tjetër moment krenarie për Shqipërinë”, shkruan Edi Rama në reagimin e tij pas avancimit të procesit të negociatave me BE-në.

Rama vlerësoi punën e institucioneve shqiptare dhe ekipit negociator, duke e cilësuar procesin si një “mision historik” drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Postimi:

“Thanë negociatat u bllokuan.

Thanë Shqipëria u ndëshkua.

Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.

U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.

Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi

Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton

Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE

Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik”