Në Tiranë kanë nisur punimet e konferencës së 63-të të Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), rrjeti më i vjetër dhe më i madh i rregullatorëve të medias në Europë.
Ky aktivitet, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri në datat 20–22 maj 2026, organizohet nën mikpritjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe mbledh delegacione nga 42 vende të ndryshme, si dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Takimi u hap nga kryetarja e Bordit të EPRA-s, Stephanie Comey, e cila theksoi natyrën neutrale dhe profesionale të këtij forumi.
“EPRA është një forum i hapur, jo politik dhe neutral në operacione, anëtarët duhet të ruajnë të njëjtat vlera dhe neutralitetin institucional.”
Si mikpritëse e këtij eventi, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, prezantoi strategjinë e institucionit shqiptar për periudhën 2024–2026, duke u ndalur te harmonizimi i kuadrit ligjor me aktet e rëndësishme europiane si AVMSD, EMFA dhe DSA. Ajo vuri theksin te reformat që synojnë rritjen e përgjegjësisë së platformave digjitale, mbrojtjen e lirisë së medias, garantimin e pavarësisë editoriale dhe transparencën e financimeve publike.
Krasniqi spikati krijimin e regjistrit të transparencës së pronësisë së medias audiovizive, një bazë të dhënash e hapur për publikun që shkon deri te përfituesit fundorë.
Gjatë prezantimit, kryetarja e AMA-s bëri edhe një bilanc të punës pesëvjeçare të institucionit që ajo drejton, duke treguar ecurinë e vendimmarrjeve dhe përballjet ligjore me piraterinë dhe shkeljet e përmbajtjes.
“Gjatë 5 viteve janë marrë vendime për 38 gjoba për shkelje të përmbajtjes dhe 44 gjoba për pirateri televizive, me një vlerë totale mbi 80 milionë lekë. Nga 49 procese gjyqësore të përfunduara në Gjykatën e Shkallës së parë, 80% janë fituar nga AMA.”
Në ditën e parë të konferencës, diskutimet u përqendruan te praktikat europiane për rritjen e aksesueshmërisë së personave me aftësi të kufizuara (PAK) në transmetimet audiovizive, ku vende si Spanja, Bullgaria dhe Lituania ndanë përvojat e tyre. Pjesë e punimeve ishin edhe vëzhgues permanentë si Këshilli i Europës, Observatori Europian Audiovizual, zyra e OSBE-së për Lirinë e Medias, si dhe përfaqësues të platformave të mëdha si Netflix.
Në mbyllje të ditës së parë u prezantua edhe faqja e re e internetit e EPRA-s, ndërsa u vendos që mbledhja e radhës, ajo e 64-ta, të zhvillohet vitin e ardhshëm në Irlandë.
