Vendosni fjalën kyçe....

Pacolli tërhiqet nga përplasja për aeroportin e Vlorës: Le ta marrin, nuk dua të luftoj me shtetin


 

Biznesmeni Behgjet Pacolli deklaroi se nuk dëshiron të vazhdojë përplasjen me shtetin për aeroportin e Vlorës, ndërsa akuzoi institucionet për përdorim të paligjshëm të forcës dhe mbështetje ndaj palës kundërshtare në konfliktin për administrimin e projektit.

Në një reagim publik pas tri ditësh tensione dhe protestash në kantierin e aeroportit, Pacolli tha se investimi është realizuar me fondet e tij dhe arrin mbi 310 milionë euro.

“Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”, deklaroi ai.

Pacolli pretendon se objektet që kompania “Mabco” kishte marrë përsipër të përfundonte janë mbyllur tashmë dhe se punimet finale, përfshirë sistemimet dhe gjelbërimin, janë realizuar që në muajin mars.

Ai akuzoi Valon Ademin dhe kompaninë “2A Group”, duke pretenduar se kjo e fundit ka përfituar mbi 35 milionë euro nga garancitë financiare të “Mabco”.

“Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s”, shkroi Pacolli.

Biznesmeni ngriti shqetësime edhe për trajtimin e punonjësve të kompanisë së tij gjatë ndërhyrjes së policisë në kantier.

“Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale dhe materialet e punës”, tha ai.

Sipas Pacollit, dëmi më i madh nuk është financiar, por moral dhe institucional.

“Është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës. Dëmi që i bëhet besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kompania “Vlora International Airport” ka deklaruar se “Mabco” është përjashtuar nga projekti pasi nuk ka përfunduar në kohë punimet e terminalit.

Prej disa ditësh, në aeroportin e Vlorës vijojnë tensionet mes kompanisë “Mabco” të Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit. Punonjësit e “Mabco” kërkojnë rikthimin në punë, ndërsa “2A Group” vijon aktivitetin në kantier.

Përplasja mes palëve nisi në vjeshtën e vitit 2025 për administrimin e aeroportit. Konflikti lidhet me marrëveshje aksionesh, kredi prej 100 milionë eurosh dhe procese gjyqësore për administrimin e kompanisë.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj Behgjet Pacollit, Emin Pacollit dhe administratorit Nelson Çela për akuza që lidhen me mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa SPAK po heton procedurat e koncesionit të aeroportit të Vlorës.

 

Postimi: 

“Një gazetar autoritativ nga Shqipëria më telefonoi sot, këtu në Astana, dhe më pyeti:

“Zoti Pacolli, çfarë do të bëni tani, pasi aeroportin jua morën me Policinë e Shtetit?”

Përgjigjja ime ishte e qartë:

Objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, ne kemi pastruar objektet, kemi kryer punimet përfundimtare dhe kemi rregulluar edhe gjelbërimin përreth.

Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.

Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak.

Pyetja e dytë ishte:

“Çfarë do të ndodhë me njerëzit që tani kanë mbetur pa punë dhe a do të paguhen nënkontraktorët?”

Iu përgjigja se ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore.

Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër.

Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre.

Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.

Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë”, shkruan Pacolli.