Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina sulmon Rusinë me dronë pas tri ditësh bombardimesh masive nga Moska


Ukraina ka ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë ndaj disa rajoneve ruse, përfshirë rafinerinë e madhe të naftës në Ryazan, pas tri ditësh bombardimesh intensive të Rusisë kundër territorit ukrainas.

Sulmi ukrainas erdhi pasi Moska kreu një seri goditjesh me raketa dhe dronë mbi Ukrainën, përfshirë kryeqytetin Kiev, ku një raketë goditi një pallat banimi, duke shkaktuar 24 viktima, mes tyre edhe tre fëmijë, përcjell The Guardian.

Sipas autoriteteve ukrainase, bilanci përfundimtar i viktimave u konfirmua pasi ekipet e emergjencës përfunduan kërkimet në rrënojat e pallatit 9-katësh në Kiev, i cili u godit gjatë asaj që forcat ajrore ukrainase e cilësuan si sulmi më i madh rus që nga nisja e pushtimit në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi zonën e goditur në lagjen Darnytskyi të Kievit dhe vendosi lule në kujtim të viktimave.

“Rusët praktikisht rrafshuan një pjesë të tërë të ndërtesës me raketën e tyre”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se sipas analizave paraprake ishte përdorur një raketë ruse e tipit Kh-101 e prodhuar së fundmi.

Sipas zyrtarëve ukrainas, Rusia ka lëshuar më shumë se 1,500 dronë dhe dhjetëra raketa gjatë tri ditëve të fundit ndaj objektivave në Ukrainë.

“Një Rusi e tillë nuk mund të normalizohet kurrë, një Rusi që shkatërron qëllimisht jetë njerëzish dhe shpreson të mbetet e pandëshkuar”, tha Zelensky, duke u bërë thirrje aleatëve të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Ministria e Brendshme ukrainase bëri të ditur se rreth 50 persona mbetën të plagosur dhe afro 400 qytetarë kishin nevojë për mbështetje psikologjike pas sulmit në Kiev.

Ndërkohë, autoritetet ruse deklaruan se katër persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga sulmet ukrainase me dronë. Komiteti Hetimor rus tha se kishte nisur hetime për “terrorizëm”, duke pretenduar se objektivat e sulmeve ishin ndërtesa civile dhe infrastruktura publike.

Dëshmitarët në Ryazan raportuan se objektivi kryesor i sulmit ukrainas dukej të ishte rafineria e madhe e naftës, e cila u përfshi nga flakët pas disa shpërthimeve.

Nga ana tjetër, Këshilli i Europës njoftoi gjatë samitit të ministrave të Jashtëm në Moldavi se po avancon krijimin e një tribunali për krime lufte kundër udhëheqjes ruse lidhur me agresionin ndaj Ukrainës.