Vendosni fjalën kyçe....

Xi përshëndet përparimin tregtar, paralajmëron Trumpin për Tajvanin në samitin e Pekinit


 

Presidenti kinez Xi Jinping i tha Presidentit Donald Trump se bisedimet tregtare po bënin përparim në fillim të një samiti dy-ditor të enjten, por paralajmëroi se mosmarrëveshja mbi Tajvanin mund t’i çonte marrëdhëniet në një rrugë të rrezikshme.

Deklaratat e liderit kinez hodhën bazat për atë që Donald Trump e cilësoi si ndoshta “samiti më i madh ndonjëherë”, pas pritjes madhështore të organizuar në Pallatin e Popullit në Pekin.

Në një moment kur popullariteti i Trump është lëkundur pas luftës me Iranin, vizita e parë e një presidenti amerikan në rivalin kryesor strategjik të SHBA-së që prej udhëtimit të tij të fundit në Kinë në vitin 2017 ka marrë një peshë të veçantë politike dhe diplomatike.

Pas ceremonisë së pritjes, ku nuk munguan garda e nderit dhe dhjetëra fëmijë që valëvitnin me entuziazëm lule dhe flamuj, Xi e hapi samitin duke i thënë Trump se marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy ekonomive më të mëdha të botës janë në interes të mbarë globit. 

“Kur bashkëpunojmë, përfitojnë të dyja palët; kur përballemi me njëra-tjetrën, të dyja palët humbasin”, tha ai në një deklaratë të shkurtër për mediat. 

“Je një udhëheqës i shkëlqyer, ndonjëherë njerëzve nuk u pëlqen që e them, por unë e them gjithsesi”, u përgjigj Trump. “Ka nga ata që thonë se ky mund të jetë samiti më i madh ndonjëherë”, shtoi ai.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme e Kinës, Xi tha se negociatat midis ekipeve ekonomike dhe tregtare të SHBA-së dhe Kinës në Korenë e Jugut të mërkurën kishin arritur “rezultate përgjithësisht të balancuara dhe pozitive”.

Negociatat kishin për qëllim ruajtjen e armëpushimit tregtar të arritur midis Trump dhe Xi tetorin e kaluar dhe krijimin e mekanizmave për të mbështetur tregtinë dhe investimet e ardhshme, thanë zyrtarë me njohuri për çështjen.

Xi gjithashtu hapi çështjen e Tajvanit , ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike të pretenduar nga Kina dhe të armatosur nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi kinez i tha Trump se Tajvani ishte çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe nëse trajtohet keq mund të çojë në konflikt dhe në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme, sipas leximit kinez të bisedimeve, të cilat përfunduan pas pak më shumë se dy orësh. Trump nuk u përgjigj kur një gazetar më vonë e pyeti me britma nëse kishin diskutuar për Tajvanin, ndërsa pozonte për foto me Xi në Tempullin e Qiellit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ku perandorët dikur luteshin për të korra të mira.

Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, udhëheqësit ranë dakord gjithashtu të zgjerojnë bashkëpunimin në tregti dhe bujqësi dhe shkëmbyen pikëpamje mbi situatat në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe gadishullin Korean.

Trump dhe Xi do të marrin pjesë më vonë në një banket shtetëror përpara se të pinë çaj dhe të drekojnë së bashku të premten. Trumpit në këtë udhëtim do t’i bashkohet një grup drejtuesish ekzekutivë që kërkojnë të zgjidhin problemet me Kinën, përfshirë Elon Musk dhe CEO-n e Nvidia-s, Jensen Huang, një shtesë e vonë. Trump ka thënë se kërkesa e tij e parë drejtuar Xi-t do të jetë “hapja” e Kinës ndaj industrisë amerikane.

Dinamika e pushtetit ka ndryshuar që nga vizita e fundit e Trump në Pekin, kur Kina bëri çmos për ta luksuar presidentin dhe për të blerë miliarda dollarë mallra amerikane, tha Ali Wyne, këshilltar i lartë për marrëdhëniet SHBA-Kinë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Trump tani po e pranon statusin në rritje të Kinës, për shembull, duke ringjallur termin ‘G2’, duke iu referuar një dysheje superfuqish, kur u takua për herë të fundit me Xi në margjinat e një takimi të APEC në Korenë e Jugut në tetor, tha Wyne. Trump hyn në bisedime me një dorë të dobësuar. Gjykatat amerikane kanë kufizuar aftësinë e tij për të vendosur tarifa sipas dëshirës për eksportet nga Kina dhe vendet e tjera. Lufta e Iranit ka rritur gjithashtu inflacionin në vend dhe ka përshkallëzuar rrezikun që Partia Republikane e Trump të humbasë kontrollin e njërës ose të të dy degëve legjislative në zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit.

Edhe pse ekonomia kineze ka pasur probleme, Xi nuk përballet me presion ekonomik apo politik. Megjithatë, të dyja palët janë të etura të ruajnë një armëpushim tregtar të arritur tetorin e kaluar, në të cilin Trump pezulloi tarifat treshifrore për mallrat kineze dhe Xi u tërhoq nga bllokimi i furnizimeve globale të metaleve të rralla, të cilat janë jetësore në prodhimin e artikujve nga makinat elektrike deri te armët. Ata pritet gjithashtu të diskutojnë forume për të mbështetur tregtinë dhe investimet e ndërsjella dhe dialogun mbi çështjet e inteligjencës artificiale.

Uashingtoni synon t’i shesë Kinës avionë Boeing, mallra bujqësore dhe energji për të ulur deficitin tregtar që e ka bezdisur prej kohësh Trumpin, ndërsa Pekini dëshiron që SHBA-të të lehtësojnë kufizimet në eksportet e pajisjeve të prodhimit të çipave dhe gjysmëpërçuesve të përparuar, thanë zyrtarët e përfshirë në planifikim.

Përveç çështjeve tregtare, Trump pritet të inkurajojë Kinën që të bindë Iranin të bëjë një marrëveshje me Uashingtonin për t’i dhënë fund konfliktit. Por analistët dyshojnë se Xi do të jetë i gatshëm ta shtyjë fort Teheranin ose t’i japë fund mbështetjes për ushtrinë e tij, duke pasur parasysh vlerën e Iranit për Pekinin si një kundërpeshë strategjike ndaj SHBA-së.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i tha Fox News në bordin e Air Force One se ishte në interes të Kinës të ndihmonte në zgjidhjen e krizës, pasi shumë nga anijet e saj kanë ngecur në Gjirin Persik dhe një ngadalësim i ekonomisë globale do të dëmtonte eksportuesit kinezë.

Për Xi-në, shitjet e armëve amerikane në Tajvan janë një përparësi kryesore. Kina përsëriti të mërkurën kundërshtimin e saj të fortë ndaj shitjeve, me statusin e një pakete prej 14 miliardë dollarësh që pret miratimin e Trump ende të paqartë. SHBA-të janë të detyruara me ligj t’i ofrojnë Tajvanit mjetet për të mbrojtur veten, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve zyrtare diplomatike.

Xi ka një vizitë reciproke të planifikuar paraprakisht për më vonë këtë vit, e cila do të jetë vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara që kur Trump filloi mandatin e tij të dytë në vitin 2025.

VINI RE: Ky Artikull është pronësi intelektuale e Ynet

Përktheu për Hashtag.al, Aurora Hoxha