Vendosni fjalën kyçe....

Interkonjeksioni i ri dhe tregu i përbashkët, Karakaçi nga Athina: Bursa shqiptare po njeh zhvillim rekord


Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, i pranishëm në Konferencën e Energjisë në Athinë të organizuar nga Financial Times, ka zhvilluar një takim kyç me homologun e tij grek për të forcuar bashkëpunimin në sektorin elektroenergjetik.

Diskutimet u fokusuan në dy shtylla kryesore: integrimi i bursave të energjisë dhe ndërtimi i një linje të re transmetimi midis dy vendeve.

Karakaçi vuri në dukje progresin e Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX), duke theksuar se rritja e volumeve ka ofruar më shumë siguri dhe efikasitet për transaksionet rajonale.

“Ftova ministrin grek që të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet bursës shqiptare dhe asaj greke. Bursa jonë ka marrë një zhvillim shumë të madh dhe bashkëpunimi me palën greke ka qenë element kryesor për t’i dhënë siguri operimit dhe eficiencë transaksioneve,” u shpreh Karakaçi.

Një tjetër pikë me rëndësi strategjike ishte projekti për linjën e dytë të interkonjeksionit Shqipëri-Greqi.

Sipas ministrit, kjo linjë është e domosdoshme për të mbështetur rritjen e shpejtë të burimeve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë.

“Ndava me të rëndësinë e interkonjektorit të ri që të dy shtetet planifikojnë të bëjnë. Në kushtet e zhvillimeve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, kjo linjë e dytë transmetimi merr një rëndësi mjaft të veçantë.”

Ky bashkëpunim synon ta kthejë rajonin në një nyje të rëndësishme energjetike, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe çmime më konkurruese përmes bursave të integruara.