Vendosni fjalën kyçe....

5 të plagosur në dy aksidente në Lezhë e Librazhd


Dy aksidente rrugore janë regjistruar këtë të enjte në vend, duke lënë disa persona të plagosur, mes tyre edhe dy adoleshentë në gjendje të rëndë.

Aksidenti i parë ndodhi në vendin e njohur si “Tresh”, në rrugën e vjetër Lezhë–Milot, ku një automjet doli nga kontrolli gjatë lëvizjes. Si pasojë, tre persona mbetën të dëmtuar. Njëri prej tyre u transportua me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa dy të tjerët morën asistencë në vendngjarje dhe raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një tjetër aksident i rëndë u regjistrua në aksin kombëtar Prrenjas–Librazhd, në zonën e quajtur “Kthesat e Dragostunjës”, segment i njohur për vështirësitë në qarkullim.

Sipas informacioneve paraprake, një motoçikletë është përplasur me një automjet, ndërsa në motor udhëtonin dy persona. Përplasja rezultoi e fortë dhe të dy të rinjtë mbetën të plagosur rëndë, me fraktura të shumta në trup.

Mësohet se bëhet fjalë për dy adoleshentë, njëri nga fshati Hotolisht dhe tjetri nga zona e Polisit në Librazhd. Pas transportimit fillestar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, mjekët vendosën dërgimin e tyre drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për trajtim më të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.