Vendosni fjalën kyçe....

Vandalizohet një klasë në shkollën “Asllan Keta” në Bulqizë, policia shoqëron nxënës dhe prindër


Një ngjarje është regjistruar në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Asllan Keta” në Bulqizë, ku gjatë natës është dëmtuar rëndë klasa e katërt e institucionit arsimor.

Ngjarja është konstatuar mëngjesin e sotëm, në momentin kur stafi pedagogjik dhe nxënësit janë paraqitur për të nisur procesin mësimor.

Sipas burimeve pranë drejtorisë së shkollës, bankat dhe karriget janë gjetur të dëmtuara, materialet mësimore të shpërndara në dysheme, ndërsa muret dhe pajisjet e klasës kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.

Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, drejtoria ka njoftuar Policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje për kryerjen e veprimeve të para hetimore.

Nga verifikimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, dyshohet se në ambientet e shkollës janë futur disa fëmijë, aktualisht nxënës të kësaj shkolle. Sipas hetimeve paraprake, ata kanë hyrë nga pjesa e pasme e godinës, duke shmangur hyrjen kryesore.

Pamjet filmike janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe po analizohen për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar disa nxënës dhe prindër të tyre për t’i marrë në pyetje lidhur me këtë akt vandalizmi.

Ngjarja ka shkaktuar reagime në qytet, ku prindër dhe banorë e kanë dënuar veprimin, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga të rinjtë dhe forcim të masave të sigurisë në institucionet arsimore.

Drejtoria e shkollës pritet të marrë masa për rikthimin e normalitetit në klasën e dëmtuar, ndërsa hetimet vijojnë.