
Kryeministri Edi Rama, në Ditën e Europës, ka përsëritur thirrjen për dialog politik lidhur me reformën zgjedhore, duke i kërkuar opozitës të ulet në tryezë pa kushte dhe pa “imponime apo ultimatume”.
“Duhet të kontaktoni me drejtuesin e kësaj reforme, që është Gjiknuri. Ne jemi të hapur të dëgjojmë me durim këdo që ulet në tryezë që ulet për të folur e biseduar”, është shprehur Rama.
Ai ka theksuar se qeveria nuk pranon qasje të paracaktuara politike:
“Imponime, ultimatume, qëndrime të paracaktuara… besoj se është mjaftueshëm kohë e gjatë për të kuptuar që me mua dhe ne nuk mund të funksionojnë.”
Rama ka shtuar gjithashtu se një nga propozimet e mazhorancës mbetet ulja e numrit të deputetëve:
“Jemi të interesuar që të ulim numrin e deputetëve të parlamentit. Uroj të kemi konsensus.”
Duke u ndalur edhe te reforma territoriale, ai ka deklaruar se procesi ka qenë i hapur:
“Sa i përket reformës administrativo-territoriale, procesi ka qenë gjithëpërfshirës.”
Deklaratat vijnë në një moment kur reforma zgjedhore mbetet një nga çështjet kryesore të debatit politik në vend.