Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy procedura tenderuese për ndërtimin e Bypass-it të Elbasan, një projekt kyç infrastrukturor në kuadër të Korridori VIII.
Fondi limit për dy tenderat arrin në rreth 60.5 milionë euro, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është deri më 10 qershor 2026. Kompania fituese do të ketë 2 vite kohë për realizimin e punimeve në një segment rrugor prej 4.2 kilometrash.
Sipas dokumenteve zyrtare, segmenti do të nisë në zonën e Bradasheshit, ku lidhet me autostradën Tiranë–Elbasan, dhe do të përfundojë pranë luginës së lumit Shkumbin, duke u bashkuar me aksin e ri Elbasan–Qafë Thanë.
“Ky segment rrugor, fillon në Bradashesh ku bashkohet me autostradën Tiranë-Elbasan dhe mbaron në afërsi të luginës së lumit Shkumbin. Zona është me reliev fushor”, thuhet në dokumente.
Ky projekt synon të reduktojë ndjeshëm trafikun në qytet dhe të përmirësojë qarkullimin në një nga akset më të ngarkuara në vend, ku fluksi ditor llogaritet mes 25 mijë dhe 30 mijë automjeteve, duke arritur deri në 35 mijë në oraret e pikut.
Në dokumentet e tenderit theksohet se gjatë fazës së punimeve do të merren masa për menaxhimin e trafikut, përmes krijimit të rrugëve alternative për automjetet dhe këmbësorët.
Ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit është pjesë e një projekti më të gjerë, me një kosto totale të parashikuar prej rreth 240 milionë eurosh, dhe konsiderohet një ndër investimet strategjike për lidhjen e juglindjes së Shqipërisë me rajonin dhe më tej me rrjetin europian të transportit.
