
Luçiano Boçi hodhi poshtë qëndrimin e qeverisë Rama se largimi i banorëve të vendit është prirje e zakonshme evropiane. Gjatë një tryeze në Vlorë mbi Reformën Territoriale, nënkryetari i PD-së deklaroi se shpopullimi është pasojë e mungesës së përfaqësimit dhe shërbimeve bazë.
Duke kundërshtuar qëndrimin e Arbjan Mazniku, Boçi e cilësoi të gabuar krahasimin me Zvicra.
“Në Zvicër njerëzit lëvizin drejt mundësive më të mira. Në Shqipëri largohen nga mungesa e mundësive. Kjo nuk është zgjedhje, është detyrim,” u shpreh ai.
Sipas Boçit, të dhënat tregojnë se vendi po përballet me një rënie të ndjeshme të popullsisë, me ritme që ai i krahasoi me vende në konflikt, ndërsa raportet ndërkombëtare e lidhin këtë fenomen me mungesën e shërbimeve dhe përfaqësimit në nivel vendor.
Ai akuzoi qeverinë për dobësimin e pushtetit vendor përmes ndërhyrjeve ligjore sektoriale, duke theksuar se nuk ekziston një kërkesë nga Bashkimi Evropian për përafrim në këtë drejtim.
“Nuk ka një kusht të tillë nga BE. Problemi ynë është se ligji organik i pushtetit vendor po dëmtohet vazhdimisht nga ndërhyrjet e qeverisë,” deklaroi ai.
Në vijim, Boçi propozoi një model të ri financiar për bashkitë, duke sugjeruar që 14% e Prodhimit të Brendshëm Bruto t’i kalojë pushtetit vendor, si bazë për rritjen e autonomisë financiare.
Ai përmendi si shembuj pozitivë bashkitë e vogla si Finiq dhe Konispol, duke theksuar se ato dëshmojnë se decentralizimi funksionon kur u jepen burimet e nevojshme. Në fund, ai u ndal edhe te problematikat konkrete në Vlorë, duke evidentuar mangësitë në ofrimin e shërbimeve bazë.