Vendosni fjalën kyçe....

Elbasan/ Banorët e “Skënderbej” në protestë, 2 javë pa energji elektrike dhe ujë



Banorët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan kanë protestuar këtë të martë, duke denoncuar mungesën e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë prej rreth dy javësh, një situatë që ka prekur rreth 300 familje.

Sipas banorëve, ndërprerjet e energjisë kanë sjellë automatikisht edhe mungesë uji në shtëpi, duke e vështirësuar jetesën e përditshme dhe duke krijuar probleme serioze për higjienën dhe shërbimet bazë.

Amvisat shprehen se e kanë të pamundur gatimin dhe ruajtjen e ushqimeve, ndërsa familjet me fëmijë dhe të moshuar përballen me vështirësi edhe më të mëdha. Në të njëjtën kohë, bizneset e vogla në zonë raportojnë humbje ekonomike për shkak të prishjes së produkteve ushqimore në frigoriferë.

Banorët thonë se janë informuar se situata lidhet me punime në rrjet dhe se ndërprerjet mund të zgjasin deri më 4 maj, çka sipas tyre e rëndon edhe më shumë situatën.

Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) ka bërë të ditur se ndërprerja lidhet me punime në nënstacionin “Kombinati i Drurit”, në kuadër të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Bitola–Elbasan–Fier, një projekt strategjik për rrjetin energjetik. Sipas OSSH-së, po merren masa për furnizim alternativ të zonës, ndërsa ndërprerjet do të jenë të përkohshme gjatë manovrimeve teknike.

Megjithatë, banorët vijojnë të kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe transparente, duke theksuar se situata aktuale është bërë e papërballueshme për jetën e përditshme.