Vendosni fjalën kyçe....

Belinda Balluku sinjal amerikanëve: Jeni të mirëpritur me kapitalin tuaj


Nëpërmjet një postimi të fundit, Belinda Balluku i ka bërë jehonë një marrëveshje rajonale energjitike, e mbikqyrur nga ambasadorja Amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle.

Ky postim i Ballukut vjen në një kohë kur gjithë zinxhiri burokratik i energjisë në Tiranë përbën takat të sajën, ç’ka do të thotë se ajo personalisht ka ndjekur në detaje hapat e kësaj marrëveshje.

Ky qëndrim i zonjës i Balluku, shfaq një “reflektim të saj”, sidomos në situatën e re penale në të cilën ajo ndodhet, ndërsa mund të ketë kuptuar, se zbatimi me përpikmëri i projekteve të urdhëruara nga kryeministri Rama të cilat devijonin intiresat e partnerëve amerikanë mund t’i jenë kthyer në kosto personale asaj.

Ndonëse Balluku në çdo rast ka qënë një zbatuese e mirë, embrioni i projekteve “të gabuara” kanë qënë vullnete ose kapricio të vet Edi Ramës.

Ndër të tjera në postimin e saj Balluku shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin një sinjal të qartë besimi ndaj Shqipërisë përmes rritjes së investimeve në energji dhe përfshirjes në projekte strategjike që ndikojnë jo vetëm vendin, por edhe rajonin.

“Ky besim reflekton stabilitetin institucional, reformat e thella dhe potencialin real të rritjes ekonomike që Shqipëria po demonstron”, thekson Balluku.

Ajo sjell në vëmendje edhe projektin e Parkut Eolik të Tropojës, me kapacitet mbi 600 MW, si një shembull i vizionit për ta kthyer vendin në një qendër energjetike të bazuar në burime të qëndrueshme.

Ministrja ndalet edhe te marrëveshja prej 6 miliardë dollarësh për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke theksuar se ky investim e pozicionon Shqipërinë si një nyje kyçe për hyrjen dhe shpërndarjen e gazit amerikan në rajon, duke rritur peshën gjeopolitike dhe duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike për Europën.

 

Postimi i Ballukut:

Jam e lumtur dhe krenare për çfarë Shqipëria arriti sot, jam krenare për klimën e jashtëzakonshme që Kryeministri @ediramaal ka krijuar, duke e bërë vendin një pikë referimi në rajon për partnerët strategjikë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin një sinjal të qartë besimi ndaj Shqipërisë përmes rritjes së investimeve në sektorin energjetik dhe përfshirjes në projekte strategjike që ndikojnë jo vetëm vendin tonë, por gjithë rajonin. Ky besim reflekton stabilitetin institucional, reformat e thella dhe potencialin real të rritjes ekonomike që Shqipëria po demonstron.

Në këtë frymë, projekte ambicioze si Parku Eolik i Tropojës me kapacitet mbi 600 MW, i lançuar pak muaj më parë, dëshmojnë qartë vizionin për ta kthyer Shqipërinë në një hub energjetik rajonal të bazuar në burime të qëndrueshme. Ndërkohë sot, firmosja e dy marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e energjisë forcon më tej këtë drejtim dhe konsolidon rolin e vendit si një nyje strategjike në Ballkan. 6 miliardë dollarë investime e pozicionojnë Shqipërinë si një pikë kyçe për hyrjen dhe përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan (LNG) në rajon, duke rritur ndjeshëm rëndësinë gjeopolitike të vendit dhe duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike për Europën.

Sot është rasti për të falenderuar Ambasadoren @kimberlyguilfoyle për angazhimin e saj në realizimin e këtij bashkëpunimi historik, një dëshmi konkrete e forcës së partneritetit strategjik dhe e vizionit të përbashkët për zhvillim dhe siguri energjetike në rajon.

Angazhimi amerikan nuk është vetëm financiar, por sjell standarde të reja, teknologji të avancuara dhe rritje të transparencës, duke forcuar klimën e biznesit dhe duke tërhequr investime të tjera ndërkombëtare. Kjo dinamikë pozitive dëshmon se Shqipëria po shndërrohet në një partner të besueshëm strategjik dhe një faktor stabiliteti në rajon.

Në një kohë kur siguria energjetike është prioritet global, ky partneritet i ngushtë me SHBA-të e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm për të luajtur një rol kyç në të ardhmen energjetike të Ballkanit dhe më gjerë.