
Forcat speciale meksikane kanë arrestuar Audias Flores, i njohur si “El Jardinero”, një nga komandantët kryesorë të Kartelit Jalisco New Generation, gjatë një operacioni në shtetin perëndimor të Nayaritit, përcjell Reuters.
Ministri i Sigurisë në Meksikë, Omar García Harfuch, bëri të ditur se Flores konsiderohej një figurë kyçe në strukturën e kartelit dhe një nga kandidatët potencialë për të pasuar liderin e vrarë Nemesio Oseguera, i njohur si “El Mencho”.
Sipas autoriteteve, operacioni u zhvillua në zonën El Mirador, pranë qytetit turistik Puerto Vallarta, ku Flores ishte i rrethuar nga dhjetëra persona të armatosur dhe mjete të blinduara. Megjithatë, ai u kap teksa përpiqej të fshihej, ndërsa truprojat e tij u shpërndanë për të krijuar një diversion.
Autoritetet theksuan se operacioni u realizua “me saktësi kirurgjikale” dhe pa u qëlluar asnjë plumb, pas rreth 19 muajsh survejimi dhe me përfshirjen e mbi 500 efektivëve, helikopterëve dhe avionëve.
Flores kërkohej nga autoritetet amerikane për ekstradim, ndërsa për arrestimin e tij ishte vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Në një operacion të ndarë, autoritetet meksikane arrestuan edhe një bashkëpunëtor të tij të dyshuar për pastrim parash.
Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë Flores një figurë shumë të rëndësishme për aktivitetin e kartelit, duke kontrolluar rrjetet e prodhimit dhe trafikut të drogës, si dhe shpërndarjen në Shtetet e Bashkuara.
Arrestimi i tij shihet si një goditje e fortë ndaj kartelit, ndërsa autoritetet meksikane vijojnë përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar në vend.