
Policia e Shtetit ka njoftuar për një skemë mashtrimi online, ku persona të paidentifikuar kanë krijuar faqe të rreme që imitojnë faqen zyrtare të institucionit, me qëllim përfitimin financiar.
Sipas policisë, qytetarëve u dërgohen mesazhe SMS dhe email-e të maskuara, që paraqiten si njoftime për gjoba rrugore, duke i orientuar drejt faqeve false ku u kërkohen të dhëna bankare.
Autoritetet theksojnë se këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe synojnë vjedhjen e të dhënave dhe të parave nga llogaritë e qytetarëve.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos japin të dhëna personale në faqe të pa verifikuara dhe të kontrollojnë çdo gjobë vetëm përmes platformave zyrtare si e-Albania.
Njoftimi:
Policia e Shtetit bën me dije qytetarët se është konstatuar një skemë mashtrimi online, ku autorë të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS, dhe adresa emaili të maskuara, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si njoftime të dërguara nga autoritete shtetërore, lidhur me pagesën e gjobave për shkelje të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.
Sqarojmë se këto mesazhe NUK janë dërguar nga institucionet shtetërore. Autorët kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare.
Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.
Policia e Shtetit bën thirrje për kujdes maksimal:
Mos klikoni në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera.
Mos vendosni asnjëherë të dhënat tuaja bankare në faqe të pa verifikuara.
Verifikoni çdo gjobë vetëm në kanalet zyrtare.
Qytetarët mund të kontrollojnë gjobat:
në portalin zyrtar e-Albania: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…
Në rast se keni vendosur të dhënat bankare në faqe të dyshimta:
Kontaktoni menjëherë bankën tuaj për të bllokuar kartën/llogarinë dhe për të marrë masat përkatëse si dhe denonconi rastet pranë Policisë së Shtetit.
Strukturat ligjzbatuese janë duke punuar për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.