Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancë plenare, disa interpelanca dhe projektligje në rend dite



Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, e cila nis në orën 10:00, me një rend dite të ngarkuar që përfshin interpelanca, pyetje-përgjigje dhe shqyrtimin e disa projektligjeve.

Seanca hapet me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të datave 9 dhe 16 prill, si dhe me njoftime procedurale.

Një pjesë e rëndësishme e rendit të ditës janë gjashtë interpelancat me anëtarë të qeverisë. Interpelanca urgjente do të zhvillohen me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, të kërkuara nga deputetë të opozitës.

Ndërkohë, tre interpelanca janë parashikuar me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala, të kërkuara nga deputetët Kliti Hoti, Bardh Spahia dhe Erisa Xhixho. Gjithashtu, interpelancë do të zhvillohet edhe me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, me kërkesë të deputetit Zija Ismaili.

Në vijim, ministri i Financave Petrit Malaj do të jetë pjesë e një seance pyetje-përgjigje me deputeten Jorida Tabaku.

Seanca plenare do të shqyrtojë gjithashtu disa projektligje të rëndësishme, mes tyre ai “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, si dhe ndryshime në ligje që lidhen me taksat, energjinë dhe Gardën e Republikës.

Në fund të seancës janë parashikuar edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.