
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, foli mbi protestën e fundit të opozitës dhe hapat që, sipas tij, duhet të ndërmerren në vijim, duke theksuar se aksioni opozitar do vijojë.
Ai u shpreh se protestat përfaqësojnë kundërshtimin ndaj sistemit aktual dhe se ato nuk do të ndalen. “Duhet të pranojmë se kemi dalë kundër këtij sistemi të grabitjes së votës. Duhet të sfidonim Ramën në zgjedhje. Por kur ky sistem pengon rezultatin që del nga takimet elektorale, e ka thënë OSBE ODIHR këtë për zgjedhjet. Dihen këto metoda që janë përdorur për të ndikuar në zgjedhje. Strategjia e opozitës, protestat do vijojnë. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Boçi.
Ai shtoi se, sipas tij, format e protestës duhet të bëhen më të forta, duke theksuar se brenda opozitës ka edhe mendime për përshkallëzim të aksionit politik: “Në qoftë se doni mendimin tim, unë i dua protesta më radikale. Ai nuk mund të gjuajë në mish, ne të gjuajmë në trotuar. Ngritën protestuesit peshë policët. Kur e dua më radikale, ka shumë opinione që duan protesta radikale. Nuk është se nuk pranohet si sugjerim. Nuk është matematikë kjo. Ne flasim për opsione. Unë po jap opsionin tim”, tha ai.
Boçi përmendi gjithashtu edhe forma më ekstreme të protestës si greva e urisë apo ngujimi, duke i paraqitur si opsione të mundshme në varësi të zhvillimeve politike: “Ka mendime që duhet të ketë ngujim, grevë urie të grupit parlamentar, janë në axhendë, janë të realizueshme sepse duhet të ketë krijim të disa kushteve dhe rrethanave që janë përtej PD-së që një veprim i tillë të jetë final. Sepse duhet të arrish qëllimin, është gjëja më e lehtë të ngujohesh se të dalësh në shesh”, u shpreh nënkryetari i PD-së.