
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, është nderuar në Jerusalem me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit, në vlerësim të mbështetjes së tij për shtetin izraelit në arenën ndërkombëtare, përcjell Fox News.
Sipas zyrës së presidentit izraelit, çmimi iu dha për qëndrimin e tij në mbështetje të Izraelit, solidaritetin me familjet e pengjeve të rrëmbyera nga Hamas në Gaza, si dhe për lidhjet e tij me popullin hebre.
Presidenti Isaac Herzog u shpreh se “shteti i Izraelit nuk është i vetëm”, duke theksuar se ka aleatë dhe miq të rëndësishëm si Milei.
Herzog vlerësoi gjithashtu vizitat e shpeshta të liderit argjentinas në Izrael, i cili që prej marrjes së detyrës në vitin 2023 ka zhvilluar disa udhëtime në këtë vend.
Gjatë vizitës, Milei zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu, ku u nënshkruan të ashtuquajturat “Isaac Accords”, një nismë që synon zgjerimin e bashkëpunimit mes Izraelit dhe vendeve të Amerikës Latine.
Po ashtu, presidenti argjentinas u nderua me një doktoratë nderi nga Universiteti Bar-Ilan.