Sirenat e alarmit ajror ranë në komunitetet e kufirit verior të Izraelit të martën në mbrëmje, duke shënuar sinjalizimet e para të këtij lloji që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Liban.
Sipas IDF-së, incidenti erdhi pas lëshimit të një rakete dhe një droni nga përtej kufirit.
Njoftimet erdhën në prag të nisjes së festimeve për 78-vjetorin e Pavarësisë së Izraelit.
Edhe pse fillimisht u raportua si një identifikim i rremë, ushtria konfirmoi më vonë se një raketë ishte drejtuar forcave të saj në jug të Libanit, ndërsa një dron që hyri në territorin izraelit u asgjësua nga mbrojtja ajrore, përcjell Ynet.
“Droni u interceptua nga mbrojtja ajrore… Forcat e Brigadës Golani vranë terroristë në jug të të ashtuquajturës Vija e Kaltër (Blue Line) pasi ata kaluan vijën e mbrojtjes dhe iu afruan forcave izraelite”, bëhet me dije nga njoftimi zyrtar.
IDF-ja theksoi se këta individë po lëviznin pranë al-Qusayr dhe përbënin një kërcënim të menjëhershëm, duke shkelur hapur mirëkuptimet e arritura për armëpushimin.
Ky nuk ishte incidenti i vetëm; ushtria raportoi se edhe një ditë më parë, persona të armatosur kishin tentuar të kalonin vijën e mbrojtjes në të njëjtën zonë, duke u bërë objektiv i sulmeve ajrore izraelite pasi u identifikuan si rrezik për trupat në terren.
