Teherani ka deklaruar se nuk ka “asnjë plan për raundin e ardhshëm” të bisedimeve për paqe, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë një delegacion në Pakistan, të kryesuar nga nënpresidenti JD Vance, përcjell BBC.
Armëpushimi dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit pritet të përfundojë të mërkurën, ndërsa edhe nëse bisedimet nisin, gjasat për një marrëveshje mbeten të pakta.
Zhvillimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se forcat amerikane kanë sulmuar dhe sekuestruar një anije transporti iraniane që po përpiqej të thyente bllokadën ndaj porteve të Iranit.
Sipas Trump, anijes i ishte dhënë “paralajmërim i drejtë për të ndaluar”, por ekuipazhi “refuzoi të bindet”, çka çoi në ndërhyrjen e marinës amerikane që, sipas tij, “e ndaloi në vend duke goditur dhomën e motorit”.
Në një komunikim të publikuar, dëgjohet paralajmërimi drejtuar ekuipazhit: “Largohuni nga dhoma e motorit, largohuni nga dhoma e motorit, jemi gati të hapim zjarr për t’ju neutralizuar”.
Nga ana tjetër, ushtria iraniane ka paralajmëruar kundërpërgjigje, ndërsa media iraniane raportojnë se mjete ajrore pa pilot kanë sulmuar anije amerikane, megjithëse deri tani nuk ka njoftime për dëme.
