Vendosni fjalën kyçe....

“Policia u soll me protestuesit si Sadami me kurdët” – Berisha


Gjatë fjalimit të mbajtur në foltoren e radhës përpara Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te përplasjet mes protestuesve dhe policisë.

Në deklaratën e tij, ai tha se ngjarjet e ndodhura sollën pamje të rënda që, sipas tij, rikujtonin episode të errëta nga konflikte ndërkombëtare. Berisha u shpreh: “Me pamje që të rikujtonin sulmet kimike të Sadam Hyseinit dhe gjenocidin ndaj kurdëve. Me pamje të qytetarëve të mbytur nga helmi, me pamje deputetësh që dergjeshin përtokë të asfiksuar me spraj toksik ariu të hedhur nga kriminelë të pafytyrë.”

Ai shtoi se këto skena nuk i përkisnin vendeve në luftë, por Shqipërisë: “Mirëpo këto pamje, që qarkulluan të premten në Shqipëri dhe në mbarë botën, nuk ishin as nga Siria, as nga Iraku, por nga Shqipëria në zemër të Europës.”

Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin dhe drejtues të policisë për urdhërimin dhe zbatimin e dhunës: “Një sulm shtazor i urdhëruar nga kreu i narkoshtetit, biri i bllokmenit xhelat, Edvin Kristaq Rama dhe i ekzekutuar nga ushtarët e tij të verbër, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, të cilët morën përsipër të helmojnë qytetarët kryengritës paqësorë me lëndë nga më të rrezikshmet helmuese”.

Duke folur për protestat, ai deklaroi se edhe në vende të tjera ndodhin përplasje, por sipas tij jo në këtë formë: “Ndodh në Francë, Bruksel dhe kudo. Ndodh ndonjëherë që këto protesta të jenë të dhunshme. Kemi parë pamjet dhe institucionet e dëmtuara, dyqane private që digjen, madje dhe grabiten. Por kurrë nuk janë parë në Europë pamje ku protestuesit të dhunohen ashtu siç u dhunuan qytetarët shqiptarë ditën e premte.”

Sipas Berishës, protesta e zhvilluar ishte paqësore dhe pa akte dhune nga pjesëmarrësit: “Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, protesta e të premtes, ashtu si dhe të tjerat, nuk pati asnjë përdorim dhune, asnjë ushtrim dhune nga protestuesit paqësorë.”

Ai pretendoi se ndërhyrja e policisë ndodhi menjëherë pas përfundimit të fjalës së tij: “Në momentin që unë përfundova fjalimin, narkokriminelë, policë me uniformë janë lëshuar si kafshë, si shtazë kundër protestuesve, jo sikur të ishin shqiptarë apo njerëz në fund të fundit, por sikur të ishin hasmi më i rrezikshëm i këtij vendi.”

Në përfundim, Berisha dha arsyetimin e tij për ndërhyrjen e policisë: “Po pse kjo dhunë e narkopolicisë dhe banditëve të saj? Sepse Edi Rama, Besfor Kimiku, Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, etj, me vetëdije të plotë helmuan qytetarët të kapur nga një frikë e tmerrshme në shpirtin e tyre të zi”, tha Berisha.