
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin, si dhe disa drejtues të Policisë së Shtetit, në lidhje me ndërhyrjen gjatë protestës së zhvilluar të premten në kryeqytet.
Sipas informacioneve, kallëzimi është dorëzuar paraditen e së hënës dhe përfshin, përveç ministrit, edhe tetë drejtues të Policisë së Shtetit.
Gjatë protestës u raportuan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa policia dyshohet se ka përdorur bombola gazi në drejtim të turmës. Si pasojë, disa persona mbetën të lënduar, mes tyre edhe deputetë, ndërsa të plagosur pati edhe nga radhët e efektivëve.
Partia Demokratike kërkon hetim për veprimet e ndërmarra gjatë menaxhimit të protestës, ndërsa pritet që Prokuroria e Posaçme të shqyrtojë kallëzimin dhe të ndërmarrë hapat e mëtejshëm procedurialë.