Vendosni fjalën kyçe....

“Bëhu burrë dhe eja në gjykatë” –Berisha sfidon Ramën: Përballja e shekullit, aty do t’ua tregoj të gjitha



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sfiduar kryeministrin Edi Rama që të paraqitet për të dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen “Partizani”.

Duke folur për mediat pas daljes nga SPAK, Berisha u shpreh: “Përballja e shekullit, aty do t’u tregoj shqiptarëve të gjithë korrupsionin e Ramës dhe çfarë qenie të ligë përfaqëson. Ndaj e ftoj bëhu burrë dhe eja në gjykatë ose, nëse s’ta mban, zgjidh një studio televizive. Do vijë si delinkuent në sallën e gjyqit”.

Ai akuzoi gjithashtu Taulant Ballën si “autor të parë të trillimit” të çështjes “Partizani”, duke e cilësuar shpifjen e tij si ndër më të ulëtat.

“Taulant Balla është autori i shpifjes, i trillimit sipas të cilit Sali Berisha i ka dhënë tokë të shpronësuar nga autoritetet pushtuese italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhëndrit të tij”, deklaroi Berisha, duke shtuar se ndryshimi i destinacionit të truallit është bërë nga qeveria.

Ai u shpreh se do të paraqitet në gjykatë nëse kjo kërkohet: “Nëse gjykatësi kërkon që unë të jem aty, do të jem padiskutim”.

Në të njëjtën dalje, Berisha paralajmëroi vijimin e protestave të opozitës, duke theksuar se ato do të jenë edhe më të fuqishme.

“Protestat do të vijojnë edhe më shumë dhe do të jenë edhe më të fuqishme. Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet. Le të shkojë në qiell e ku të duan, nuk mbyllet. Ajo dosje është gropë për Ramën dhe Ballukun”, tha ai.

Gjithashtu, ai akuzoi policinë për përdorimin e mjeteve që, sipas tij, rrezikojnë shëndetin e protestuesve gjatë tubimeve të fundit.