Policia e Lezhës ka arrestuar në flagrancë një 62-vjeçar në fshatin Markatomaj, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh dhe municionesh luftarake.
Operacioni i koduar “Befasia” u ndërmor pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi L. J. dispononte mjete luftarake pa leje.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me 3 krehëra, 414 fishekë luftarakë, si dhe 6 granata difensive dhe 5 ndezëse detonatorësh të unifikuar.
“Në vijim të veprimeve procedurale, 62-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’”, bëhet me dije nga njoftimi policor.
Materialet për këtë rast i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Operacioni ishte pjesë e punës së vazhdueshme të policisë për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje në zonë.
