Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu takon banorët e pallatit të dëmtuar nga zjarri: Bonus qiraje dhe dëmshpërblim i dëmeve


Drejtuesja Politike e PS Tiranë, Ogerta Manastirliu, ishte sot pranë familjeve të prekura nga zjarri që përfshiu pallatin e pranë Farmacisë 10 në Tiranë.

E shoqëruar nga deputetë të PS, si dhe drejtues të Bashkisë Tiranë, Manastirliu garantoi banorët se institucionet janë të angazhuara plotësisht për të qenë pranë tyre dhe për të ofruar zgjidhje konkrete në kohë sa më të shpejtë.

Kemi gjithë angazhimin politik, institucional dhe njerëzor mbi të gjitha, për t’ju qëndruar pranë. Bashkia e Tiranës ka filluar menjëherë punën dhe shumë shpejt do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të miratuar bonuset e qirasë, pa asnjë vonesë në procedurat administrative,” u shpreh Manastirliu, duke nënvizuar se prioritet mbetet siguria dhe rikthimi në normalitet i çdo familjeje të prekur.

Manastirliu siguroi gjithashtu banorët se procesi i verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve ka nisur dhe po vijon me intensitet.

“Vlerësimi i dëmeve po kryhet në mënyrë të detajuar nga institucionet dhe grupet e ekspertizës. Dëmshpërblimi, bazuar në aktet nënligjore, do të finalizohet në një kohë sa më të shpejtë. Do të bëhen vlerësime rast pas rasti,” deklaroi Manastirliu, duke shtuar se si deputetë të Tiranës, do të ndjekin këto procese për të mos patur asnjë vonesë.

Ndërkohë, paralelisht me procesin e ndihmës për banorët, kanë nisur edhe hetimet për të nxjerrë përgjegjësitë lidhur me ngjarjen.