
Zjarrfikësit në Australi po luftojnë me një zjarr të madh që ka përfshirë një nga dy rafineritë operative të naftës në vend, përcjell DW.
Flakët shpërthyen rreth orës 23:00 me orën lokale të mërkurën në rafinerinë e kompanisë Viva Energy Group, pranë qytetit Geelong, në shtetin e Viktorias.
Sipas autoriteteve të emergjencave, zjarri nuk është ende nën kontroll të plotë, por aktualisht është i kufizuar brenda zonës së impiantit. Ai përfshin “lëndë djegëse të lëngshme dhe gaze” në njësinë e benzinës së rafinerisë.
Banorëve të Geelong dhe zonave përreth – ku jetojnë rreth 300 mijë persona – u është kërkuar të qëndrojnë brenda në banesa, të mbyllin dritaret dhe dyert, si dhe të fikin sistemet e ajrosjes dhe ngrohjes për arsye sigurie.
Autoritetet konfirmojnë se i gjithë stafi i rafinerisë është në gjendje të mirë dhe nuk raportohet për të lënduar. Rreth 100 punonjës ndodheshin në vendngjarje në momentin e shpërthimit dhe të gjithë kanë arritur të largohen pa pasoja.
Mëngjesin e së enjtes, niveli i alarmit është ulur, duke bërë të ditur se nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për publikun, edhe pse operacioni për shuarjen e flakëve vijon.
Rafineria në Geelong është një nga vetëm dy rafineritë aktive në Australi dhe ka një rol kyç në furnizimin me karburant. Ajo mbulon mbi 50% të nevojave për karburant të shtetit të Viktorias dhe rreth 10% në nivel kombëtar, me një kapacitet përpunimi deri në 120 mijë fuçi naftë në ditë.
Ministri i Energjisë, Chris Bowen, deklaroi se zjarri pritet të ndikojë kryesisht në prodhimin e benzinës, ndërsa prodhimi i karburanteve të tjera si nafta dhe karburanti i avionëve vijon në nivele të reduktuara për arsye sigurie.
Sipas autoriteteve, incidenti dyshohet të jetë aksidental, ndërsa pritet të nisë një hetim për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.