
Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të opozitës, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e mban pushtetin përmes lidhjeve me elementë të krimit të organizuar.
Në reagimin e tij, Bardhi i është referuar një operacioni të fundit të SPAK, ku sipas tij një person i përfshirë në trafik droge rezulton të ketë përfituar rreth 69 milionë euro nga fondet publike.
Ai thekson se ky rast, sipas opozitës, shpjegon edhe refuzimin e kryeministrit për të qenë i pranishëm në Kuvend dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në sektorin e ndërtimit.
“KRIMI, KRIMI-DROGA DROGA”
7.5 ton kokainë e trafikuar.
50 tendera publikë nga pushteti i Edi Ramës.
Mbi 69 milionë euro kontrata.
232 pasuri (rreth 12 milionë euro) të sekuestruara nga SPAK.
Kjo është një skedë e shkurtër e aktivitetit kriminal dhe ekonomik të vetëm një karteli shqiptar që përdorte shtetin për të pastruar paratë e drogës.
Si Jetmir Pepa në Shqipëri ka shumë grupe kriminale që trafikojnë kokainë dhe që pushteti i pajis me leje ndërtimi apo me statusin e investitorit strategjik.
Ky rast i fundit i çuar para drejtësisë nuk është i izoluar. Ky është modeli mbi të cilin Edi Rama ka ndërtuar dhe mban pushtetin.
Kjo është arsyeja pse Edi Rama refuzon të vijë në parlament dhe të përgjigjet për ndikimin e krimit të organizuar në ndërtim, për pastrimin e parave përmes lejeve të ndërtimit.
Me Edi Ramën në krye të qeverisë, paratë e pista nuk fshihen, ato legalizohen edhe që t’i shërbejnë atij për të qëndruar në pushtet, përmes blerjes, shantazhimit dhe frikësimit të votuesve.
Riciklimi i parave të pista në ndërtim, në projekte dhe kontrata shtetërore është arsyeja pse Edi Rama i fshihet debatit për raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë.
Raporti thotë e zeza mbi të bardhë: ndërtimi është një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave në Shqipëri.
Edi Rama mund të fshihet sot, mund të heshtë sërish nesër, por dita kur do të përgjigjet pse e bëri shtetin njësh me krimin është e pashmangshme.” – shkruan Bardhi në Facebook.