Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë ulur pretendimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, duke u fokusuar tashmë te një memorandum i përkohshëm që synon parandalimin e rikthimit te konflikti i hapur.
Ky ndryshim strategjik vjen pas bisedimeve pa rezultat në Islamabad, ku fati i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit mbetet pengesa kryesore për progresin e mëtejshëm.
Sipas burimeve zyrtare nga Teherani, palët kanë nisur të ngushtojnë dallimet për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë.
Irani ka propozuar lejimin e lundrimit të lirë të anijeve përmes pjesës omandeze të ngushticës, në këmbim të zhbllokimit të fondeve iraniane nga Uashingtoni, përcjell Reuters.
“Ne duam që ky memorandum të përfshijë ngrirjen e disa fondeve tona nga Uashingtoni, në këmbim të lejimit të më shumë anijeve për të kaluar përmes ngushticës”, u shpreh një zyrtar i lartë iranian.
Megjithatë, kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i armëpushimit 14-ditor, ndarjet e thella mbeten te programi bërthamor.
SHBA kërkon që Irani të pezullojë pasurimin e uraniumit për një periudhë 20-vjeçare, ndërsa Teherani këmbëngul që ky afat të mos jetë më shumë se 3 deri në 5 vite. Një tjetër pikë e nxehtë është fati i 440 kg uraniumi të pasuruar në nivelin 60%, të cilin Uashingtoni kërkon ta nxjerrë jashtë vendit.
“Çështja bërthamore mbetet një pengesë thelbësore. Rezerva prej 440 kg mbetet shkak për shqetësim sepse i lejon Iranit të ketë sasi të mjaftueshme për të ndërtuar disa bomba bërthamore shumë shpejt”, theksoi një diplomat perëndimor.
Nëse arrihet ky memorandum i përkohshëm, palët do të kenë 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje finale me përfshirjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Burimet sugjerojnë se një kompromis i mundshëm mund të jetë dërgimi i një pjese të uraniumit të pasuruar në një vend të tretë, duke lënë vetëm sasinë e nevojshme për qëllime mjekësore dhe kërkimore në Teheran.
