Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi akuza në Kuvend për kredinë 35 mln euro: Licencë e radhës për abuzim



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur shqetësime në Kuvend lidhur me një kredi prej 35 milionë eurosh për sistemin e shpërndarjes së energjisë, duke e cilësuar atë si një tentativë për abuzim financiar nga ana e qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, Këlliçi deklaroi se kjo kredi kërkohet pavarësisht se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHЕE) është një kompani fitimprurëse që, sipas tij, ka raportuar ndër vite investime të konsiderueshme në rrjet.

Sipas marrëveshjes, fondet parashikohet të përdoren për:

  • Ndërtimin e nënstacionit në Shëngjin
  • Rindërtimin e nënstacioneve Shkodra 1 dhe Shkodra 2
  • Instalimin e sistemit të telekontrollit për 20 kabina në Qarkun Shkodër
  • Ndërtimin e nënstacionit në Fushë-Krujë dhe rrjetit të shpërndarjes

Këlliçi kundërshtoi nevojën për këto investime, duke argumentuar se një pjesë e tyre janë realizuar më parë. Ai solli si shembull disa projekte që, sipas tij, janë përfunduar në vitet e fundit, përfshirë nënstacionet në Shkodër, Lezhë, Velipojë, Bushat dhe investime në rrjetin e Fushë-Krujës.

Deputeti vuri në dyshim edhe eficiencën e projektit për telekontrollin e kabinave në Shkodër, duke theksuar se ndikimi në sistem do të ishte minimal.

“Impakti në sistemin e shpërndarjes nga ky projekt është zero. Pra si çdo investim tjetër, me justifikimin e rindërtimit është vetëm licensa e radhës për të grabitur, jo vetëm fondet e buxhetit por tashmë edhe kreditë e huaja,” u shpreh ai.

Në vijim, Këlliçi publikoi edhe dy raste që i cilësoi si propagandë të qeverisë, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të ministres Belinda Balluku për investime në Fushë-Krujë dhe Lezhë, të cilat sipas tij bien ndesh me kërkesën aktuale për financim të ri.

Ai ngriti dilema për mazhorancën, duke deklaruar se ose investimet e pretenduara nuk janë realizuar, ose kredia e re synon përfitime të tjera.

Në fund të fjalës së tij, Këlliçi i kërkoi Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë informacion mbi kapacitetin e sistemit të transmetimit për të përballuar rritjen e projekteve energjetike, veçanërisht ato fotovoltaike dhe eolike, duke paralajmëruar rreziqe për stabilitetin e rrjetit energjetik.