Vendosni fjalën kyçe....

“Një botë, bashkë në shtëpi” – Koncerti që bashkoi mbi 100 artistët më të famshëm botërorë (FOTO/VIDEO)


Disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore kanë bashkuar forcat për të mbështetur punonjësit e sistemit shëndetësor që janë në vijën e parë të frontit në luftën me koronavirusin, duke dhënë një koncert live të publikuar në internet dhe në televizion.

Lady Gaga, Paul McCartney dhe Billie Eilish ishin mes më shumë se 100 artistëve që interpretuan nga dhomat e tyre, duke respektuar kështu dhe masat e bllokimit të koronavirusit.

The Rolling Stones madje arritën të luajnë së bashku edhe pse anëtarët e grupit, Mick Jagger, Keith Richards, Charlie Watts dhe Ronni Wood, ishin të ndarë fizikisht në katër lokacione të ndryshme.

Shfaqja tetë orarëshe, u organizua nga lëvizja global citizen dhe OBSH, në bashkëpunim me Lady Gagën. Kjo e fundit e quajti eventin “një letër dashurie për botën”.

Me titullin “Një botë: Së bashku në shtëpi”, shfaqja filloi me një montazh të njerëzve duke duartrokitur mjekët në të gjithë botën: nga Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe gjetkë.

“Për të gjithë punonjësit tanë të kujdesit shëndetësor, ne jemi me ju. Faleminderit që keni qenë atje për ne”- lexonin titrat në ekran.

Të ardhurat e krijuara nga koncerti do të shkojnë për Fondin e Reagimit të Solidaritetit Covid-19 për OBSH-në.

Megjithatë Lady Gaga e bëri të qartë se shfaqja nuk ishte organizuar për mbledhjen e fondeve dhe do të përqendrohej më shumë në argëtimin dhe mesazhet e solidaritetit.

Koncerti u nda në dy pjesë, me një “para-shfaqje” gjashtë orëshe të transmetuar në Facebook, Instagram, Twitter dhe YouTube; pasuar nga emisioni dy orësh, i cili u shfaq në të njëjtën kohë nga tre rrjetet kryesore televizive amerikane. Stephen Colbert, Jimmy Kimmel dhe Jimmy Fallon, drejtuan shfaqjen.

E para që interpretoi ishte këngëtarja amerikane, Andra Day, e cila këndoi baladën “Rise Up” nga banesa e saj. Pas saj pasoi Niall Horan duke kënduar “Black and White” me një kitarë akustike nga dhoma e tij e ndenjes dhe ish-shoku i tij i bandës “One Direction”, Liam Payne i cili u shfaq me këngën “Midnight”.

“Është një kohë shumë e errët për të gjithë ne tani … dhe unë mendoj se të gjithë jemi afruar më shumë nga ky solidaritet”- tha ai.

John Legend u bashkua me Sam Smith për të kënduar “Stand By Me”, ndërsa Rita Ora këndoi “I Will Never Let you Down”.

Emra të tjerë që mund të përmendim janë Ellie Goulding, Taylor Swift, Jennifer Lopez, Keith Urban, Burna Boy, Luis Fonsi, Hozier, Stevie Wonder.

Shfaqja u mbyll me Celine Dion, Lady Gaga, Andrea Bocelli and John Legend të cilët bashkëpunuan për të sjellë një version të “The Prayer” për publikun.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *