
Gjenerali amerikan në pension Eric Wendt, është propoozuar nga presidenti amerikan Donald Trump si ambasador i SHBA-së në Shqipëri.
Ai është një ndër shumë emrat e propozuar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë në pozicione të ndryshme të administratës. Emri i Wendt i ka kaluar Senatit për miratim.
Wendt do zëvendësojë ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, që u largua pas fitores së Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale. Ajo u largua pas një marrëveshjeje me Departamentin e Shtetit.
Eric P. Wendt është një Gjenerallejtnant në pension i ushtrisë amerikane, i cili shërbeu për herë të fundit si komandanti i 5-të i Selisë së Operacioneve Speciale të NATO-s, duke u larguar nga detyra më 29 janar 2021.
Si oficer i lartë, Wendt ka mbajtur më parë disa poste të rëndësishme, përfshirë rolin si Koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez nga nëntori 2017 deri në tetor 2019.
Ai gjithashtu ka shërbyer si shef i shtabit i Komandës së SHBA-së në Paqësor nga maji 2015 deri në shtator 2016, si komandant i Qendrës së Luftës Speciale “John F. Kennedy” në vitet 2014-2015, si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Korenë e Jugut nga 2012 në 2014, dhe si zëvendëskomandant i Komandës Rajonale Veri të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan nga 2011 në 2012.
Ai doli në pension më 1 mars 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbimi të dalluar, përfshirë mbi 4 vite në këmbësori dhe 30 vite si pjesë e forcave speciale “Green Beret”. Ai flet arabisht dhe koreanishte.
Presidenti Donald Trump e nominoi atë për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Katar më 22 shtator 2020, por seanca e konfirmimit nuk u planifikua përpara përfundimit të Kongresit të 116-të të SHBA-së më 3 janar 2021, kështu që nominimi i tij u kthye pa u marrë asnjë veprim.