Vendosni fjalën kyçe....

Ish-shefi i shërbimit sekret të Brazilit arrestohet në SHBA


Kur ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro u dënua me gati 30 vjet burg për përpjekjen për grusht shteti, edhe gjashtë anëtarë të tjerë të qeverisë së tij u shpallën fajtorë dhe filluan të vuajnë dënimet, përveç njërit.

Disa ditë para shpalljes së vendimit, Alexandre Ramagem, ish-shefi i shërbimit sekret të Bolsonaros, u largua me makinë drejt Guyanas dhe më pas hipi në një fluturim për në Shtetet e Bashkuara, ku qëndroi që prej asaj kohe.

Të hënën, ai u arrestua nga agjentët e ICE-së, se si pjesë e goditjes ndaj emigracionit të ndërmarrë nga Donald Trump.

Ramagem, një ish-oficer i policisë federale, u dënua me 16 vjet burg pasi gjykata e lartë e vendit arriti në përfundimin se ai kishte shndërruar agjencinë e inteligjencës braziliane në një njësi të fshehtë kundërzbulimi për të mbikëqyrur në mënyrë të paligjshme zyrtarët që konsideroheshin kundërshtarë të Bolsonaros.

Hetuesit zbuluan se ai kishte përdorur programe spiunazhi për të gjurmuar vendndodhjen e gjyqtarëve të gjykatës së lartë, ligjvënësve, gazetarëve dhe zyrtarëve publikë. Ai gjithashtu mbikëqyrte hetimet që lidhen me djemtë e Bolsonaros, përfshirë senatorin Flavio Bolsonaro, i cili pas burgosjes së të atit po shfaqet si një kandidat kyç i opozitës në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Pas dënimit, Ramagem humbi postin e tij në policinë federale dhe iu hoq mandati si deputet në dhomën e ulët të parlamentit brazilian.

Trump u përpoq pa sukses të ndikonte në gjyqin e aleatit të tij Bolsonaro duke vendosur tarifa shtesë ndaj Brazilit, ndërsa shumë mbështetës të kreut të djathtë brazilian kanë kërkuar strehim në SHBA.

Gjatë muajve që kaloi si i arratisur në SHBA, Ramagem madje u shfaq në një transmetim të drejtpërdrejtë të organizuar nga një influencer brazilian i djathtë, ku pretendoi se kishte “miratimin” e qeverisë së Trump.

Gjatë transmetimit nëntorin e kaluar, Ramagem tha se kishte marrë një mesazh nga dikush në administratën Trump që thoshte: “Është mirë të dimë që kemi një mik që është i sigurt dhe i mbrojtur këtu në SHBA.”

Megjithëse Brazili kërkoi zyrtarisht ekstradimin e tij në dhjetor, policia federale tha se ai u ndalua për çështje emigracioni. Ai figuron në databazën e të ndaluarve të ICE si “në paraburgim”, pa hollësi mbi vendndodhjen e tij, shkruan The Guardian.

Paulo Figueiredo, biznesmeni dhe influenceri brazilian i djathtë që jeton në SHBA, shkroi në rrjetet sociale se Ramagem u ndalua pas një kontrolli policor në Orlando, “fillimisht për një shkelje të vogël trafiku dhe më pas iu referua ICE-së”.

Ramagem ka “një kërkesë për azil në pritje, e paraqitur kohë më parë dhe ende në shqyrtim, që i lejon të qëndrojë ligjërisht në SHBA deri në marrjen e një vendimi përfundimtar”, shkroi Figueiredo, i cili gjithashtu është akuzuar për përfshirje në tentativën për grusht shteti, por ende nuk është gjykuar pasi autoritetet gjyqësore braziliane nuk kanë arritur t’i dorëzojnë njoftimet për shkak se ai jeton prej vitesh në SHBA.

Andrei Rodrigues, drejtori i përgjithshëm i policisë federale të Brazilit, tha për GloboNews: “Arrestimi është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar midis Brazilit dhe SHBA-së në luftën kundër krimit të organizuar. Ramagem është një i arratisur nga drejtësia braziliane dhe, sipas autoriteteve amerikane, ndodhet në mënyrë të jashtëligjshme.”