Vendosni fjalën kyçe....

“Krishti u ringjall”, besimtarët kremtojnë Pashkët në Katedralen “Shën Pali”



“Krishti u ringjall. Mos kini frikë! U ringjall siç kishte thënë.” Ky ishte mesazhi që përshkoi meshën solemne të mesnatës në Katedralen Shën Pali, ku qindra besimtarë katolikë u mblodhën për të kremtuar festën më të rëndësishme të besimit të tyre.

Mesha u drejtua nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Arjan Dodaj, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj nate të shenjtë.

“Kjo vigjilje që po përjetojmë së bashku është përvoja që njerëzimi priste që nga largimi prej kopshtit të Edenit. Në këtë kremtim janë me ne edhe të dashurit tanë që na paraprinë në jetën e pasosur, sepse Pashka vlen për të gjithë”, u shpreh ai.

Arqipeshkvi përcolli edhe një mesazh urimi për besimtarët, duke theksuar nevojën për rilindje shpirtërore në familje dhe shoqëri.

“Pashkë të shenjtë që të jetë rilindje në shpirt në familjet tona, në çdo të ri e të re shqiptare. Me Zotin çdo shpresë e vdekur ringjallet dhe merr jetë me më shumë dritë e entuziazëm për të sotmen dhe të ardhmen”, tha Dodaj.

Ai theksoi se përfundimi i vigjiljes shënon fillimin e një dite të re, si simbol i ringjalljes dhe shpresës, ndërsa iu referua edhe lutjeve të heshtura dhe riteve të “Udhës së Kryqit”, duke nënvizuar rëndësinë e reflektimit dhe sakrificës.

Në mesazhin e tij, Arqipeshkvi nuk la pa përmendur edhe konfliktet dhe luftërat që po prekin botën, duke shprehur lutjen që paqja dhe drita hyjnore të mbizotërojnë mbi errësirën.

Në përfundim të meshës, ai pagëzoi disa besimtarë, një rit që simbolizon fillimin e një jete të re në besim.