
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka bërë të ditur se forcat e ushtrisë dhe policisë kanë gjetur eksploziv pranë një tubacioni që transporton gaz nga Rusia drejt Serbisë dhe Hungaria, përcjell Euronews.
Sipas tij, “dy pako të mëdha eksplozivi me detonatorë” janë zbuluar brenda çantave shpine në zonën e Kanjizës, në veri të vendit, vetëm disa qindra metra larg tubacionit të gazit.
Tubacioni “Balkan Stream”, që është një zgjatim i TurkStream, shërben për furnizimin me gaz rus të Serbisë dhe Hungarisë.
Vuçiç deklaroi se ka informuar menjëherë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, mbi rezultatet paraprake të hetimeve për këtë kërcënim ndaj infrastrukturës energjetike. Nga ana e tij, Orbán konfirmoi komunikimin dhe njoftoi se ka thirrur një mbledhje urgjente të këshillit të mbrojtjes.
Deri më tani nuk ka detaje mbi autorët apo motivet e vendosjes së eksplozivit, ndërsa Vuçiç u shpreh se ekzistojnë disa gjurmë hetimore, por pa dhënë më shumë informacion.
Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë energjetike në rajon, ndërsa Serbia mbetet një nga vendet më të varura nga gazi rus, duke importuar rreth 6 milionë metra kub gaz në ditë.