Vendosni fjalën kyçe....

Investitorët po vënë bast mbi kaosin e Inteligjencës Artificiale


Për të kuptuar se sa shumë tregu i aksioneve po përpiqet të vlerësojë kërcënimet përçarëse që paraqet inteligjenca artificiale (AI), mjafton të shohim valën e shitjeve të shkaktuar më herët këtë vit nga kompania me bazë në Florida, Algorhythm.

Një prodhues makinerish karaoke që u orientua drejt AI në vitin 2024, kapitalizimi i tregut i Algorhythm prej 2 milionë dollarësh e bëri atë kompaninë me vlerën më të ulët në Nasdaq në janar, sipas Brendan Hopkins, i cili merret me marrëdhëniet me investitorët.

Por kur drejtori ekzekutiv Gary Atkinson deklaroi në një njoftim për shtyp në shkurt se programi i tyre AI mund të eliminonte udhëtimet e panevojshme që përbëjnë 30 për qind të udhëtimeve në industrinë globale të transportit me kamionë, aksionet e kompanive të transportit në SHBA ranë ndjeshëm.

Llogaritja ishte menduar vetëm si ilustrim dhe ideja që transportuesit në mbarë botën do t’ia dorëzonin të dhënat e tyre më të vlefshme një start-up-i të vogël AI ishte absurde, thotë sot Atkinson. Por si një shembull i nervozizmit ekstrem të tregut, ai shton se rasti ishte domethënës: “Të gjithë po shohin pas shpine: kush do të përçahet nga AI?”

Frika se teknologjia pas ChatGPT do të shkaktojë tronditje në një gamë të gjerë sektorësh industrialë është përhapur me shpejtësi këtë vit — edhe pse investitorët shpesh po reagojnë ndaj kërcënimeve teorike, përfshirë disa po aq të largëta sa ai i paraqitur nga Algorhythm. Ndikimi është ndjerë më fort në botën e softuerit, ku shqetësimet janë shtuar prej kohësh ndërsa AI po transformon mënyrën se si shkruhet kodi.

Por viti 2026 po shndërrohet në momentin kur këto shqetësime po përhapen më gjerësisht. Një nga katalizatorët ishte lajmi se kompania e AI Anthropic kishte ripërdorur agjentin e saj të programimit për të kryer një gamë të gjerë punësh të zyrës, duke fshirë 830 miliardë dollarë nga vlera e aksioneve të kompanive të softuerit brenda një jave të vetme.

Papritur, nëse i besohet mbështetësve të AI, inteligjenca artificiale mund të shfaqet pothuajse kudo dhe të marrë përsipër punë që më parë kërkonin ndërhyrje njerëzore. Disa investitorë impulsivë kanë reaguar duke shitur aksione menjëherë pas çdo njoftimi për shtyp.

Një tjetër valë turbulencash ndodhi pasi Altruist, një kompani private që ofron shërbime për këshilltarët financiarë, njoftoi në shkurt se kishte lançuar një mjet planifikimi tatimor të fuqizuar nga AI.

Drejtori ekzekutiv i Altruist, Jason Wenk, ishte me pushime në Meksikë dhe sapo kishte përfunduar një vrap të hershëm në plazh kur telefoni i tij u mbush me mesazhe. “Në fillim mendova se ishte një shaka e keqe,” thotë ai.

Por ndërsa pa rënien e aksioneve të kompanive të menaxhimit të pasurisë si Charles Schwab, realiteti u bë i qartë: “Mendova: o Zot, tregu po reagon shumë agresivisht.”

Reagimi i fortë pasqyron shqetësimin më të gjerë se AI mund të automatizojë shërbime të tëra dhe kategori punësh që aktualisht sigurojnë fitime të qëndrueshme për kompanitë dhe të ardhura të mira për punonjësit e tyre. “Njerëzit po kuptojnë se shumë gjëra për të cilat paguhej shumë para, në të ardhmen nuk do të kërkojnë më të njëjtin kosto,” thotë Wenk.

Sa gjerësisht dhe në çfarë forme do të ndihet ndikimi janë pyetje me të cilat po përballen jo vetëm investitorët, por edhe drejtuesit e bizneseve. AI gjenerative, një teknologji me përdorim të përgjithshëm si kompjuterët personalë apo interneti, mund të aplikohet teorikisht në shumë probleme të ndryshme.

Më e dukshmja është zëvendësimi i punës intelektuale njerëzore në fusha si kërkimi juridik. Por efektet pritet të shtrihen shumë më tej, në çdo industri ku aftësia për të mbledhur dhe analizuar sasi të mëdha të dhënash mund të krijojë avantazh konkurrues.

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, për shembull, po krijon një fond të madh investimi për të blerë kompani prodhuese, me shpresën se do t’i transformojë ato me teknologjinë nga kompania e tij AI Project Prometheus dhe do të fitojë avantazh ndaj prodhuesve më të ngadaltë për t’u përshtatur.

Në botën e teknologjisë, diskutimet për përçarje kanë rikthyer kujtimet e viteve 1990, kur start-up-et e internetit u panë si kërcënim i menjëhershëm për shumë biznese ekzistuese dhe frika për t’u “dotcommed” ishte e përhapur.

AI gjenerative, nga natyra e saj, mund të jetë edhe më përçarëse. Megjithatë përvoja e revolucionit të mëparshëm digjital mbetet udhëzuese.

Shumë nga pionierët e shpejtë të asaj kohe, të liruar nga kufizimet e mënyrave tradicionale të punës, mbetën pa para përpara se tregu të adoptonte inovacionet e tyre, ndërsa vetëm një numër i vogël u shndërrua në kompanitë më të mëdha në histori. Shumë nga parashikimet për zhdukjen e “dinosaurëve” të industrisë dolën të parakohshme.

Pavarësisht lëvizjeve të furishme të tregut gjatë muajve të fundit, fituesit dhe humbësit e kësaj epoke transformimi teknologjik mund të jenë po aq të vështirë për t’u parashikuar.

Rebecca Lynn, e cila në fund të viteve 1990 ishte drejtuese në NextCard, kompania e parë e kartave të kreditit online, e përshkruan shfaqjen e internetit si “një kanal të ri shpërndarjeje” që u mundësoi start-up-eve të hynin në tregje ku më parë nuk kishin akses.

Ndërsa AI “na ka dhënë një mënyrë për të zgjidhur probleme që kemi dashur t’i zgjidhim prej kohësh, por teknologjia nuk ekzistonte”, shton Lynn, tani drejtuese e firmës së kapitalit sipërmarrës Canvas Prime në Silicon Valley.

Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, shkaktoi tronditje në industrinë e reklamave në vitin 2024 kur tha se “95 për qind e asaj për të cilën marketerët përdorin sot agjenci, strategë dhe profesionistë kreativë do të realizohet lehtësisht, pothuajse menjëherë dhe me kosto pothuajse zero nga AI”.

Megjithatë, fakti që një teknologji e re mund teorikisht të kryejë shumë punë që aktualisht bëhen nga njerëzit, nuk do të thotë se kjo do të ndodhë menjëherë. Bota reale shpesh i reziston ndryshimit, qoftë për shkak të interesave ekzistuese dhe zakoneve kulturore që e bëjnë tregun të përshtatet ngadalë, për shkak të rregulloreve, apo sepse sistemet e nevojshme për transformim kërkojnë kohë për t’u zhvilluar.

Flluska dotcom shpërtheu shpejt kur shumica e start-up-eve mbetën pa financime dhe u përballën me faktin se tregu për shërbimet e tyre nuk ishte ende gati. “Qartësisht pati më pak përçarje sesa pritej dhe u desh më shumë kohë që ajo të ndodhte,” thotë Bill Janeway, ish-zëvendëskryetar i firmës së investimeve Warburg Pincus gjatë periudhës së dotcom.

Ishte e lehtë të imagjinohej që një aftësi e re, si tregtia elektronike, do të shkatërronte menjëherë shitësit tradicionalë, por tregtia online hasi pengesa praktike në trajtimin fizik të volumit të madh të porosive.

U desh zhvillimi i shumë teknologjive dhe shërbimeve plotësuese përpara se tregtia elektronike të realizonte potencialin e saj fillestar. “Jam shumë skeptik për idenë e një zgjidhjeje universale [AI] për gjithçka,” shton Janeway.

Në mënyrë të ngjashme, pasiguritë për aftësinë e AI për të naviguar në mjedise të hapura dhe të pastrukturuara, ku zhvillohet pjesa më e madhe e punës së zyrës, mund të ngadalësojnë ndjeshëm adoptimin e saj.

Megjithëse kompanitë e AI pretendojnë se agjentët e programimit tashmë përdoren gjerësisht për krijimin e softuerëve, Chris Bradley nga McKinsey Global Institute argumenton se agjentët me përdorim të përgjithshëm janë më të ngjashëm me taksitë autonome të Waymo.

Këto mjete më në fund kanë dalë në rrugë në një numër të vogël qytetesh, por vetëm pas shumë vitesh trajnimi dhe përmirësimi, dhe edhe tani nuk mund të përballojnë çdo situatë që një shofer njerëzor mund të menaxhojë.

Shumë pengesa mbeten për agjentët e AI. Problemi i vazhdueshëm i “halucinacioneve”, ose përgjigjeve të pasakta të shoqëruara me siguri të rreme, ka detyruar kompanitë të vendosin kufizime mbrojtëse rreth teknologjisë.

Softueri tatimor i Altruist, për shembull, përdor agjentë AI për të analizuar situatën fiskale të klientit, përpara se llogaritjet përfundimtare të kryhen nga softuer tradicional dhe deterministik.

“Kalkulimet matematikore nuk ia lëmë modelelor të mëdha gjuhësore,” thotë Wenk. “Rezultati përfundimtar është që AI nuk mund të ‘halucinojë’ mbi të dhënat.” Megjithatë, kjo nuk e bën teknologjinë të pagabueshme: “A mund të humbasë ndonjë detaj gjatë analizës së thellë? Kjo është gjithmonë e mundur.”

Kjo nuk e ka ndalur garën e shpejtë për ta kthyer AI gjenerative në një armë strategjike biznesi, disa aspekte të së cilës pritet të favorizojnë fort kompanitë e reja përballë gjigantëve ekzistues.

Një nga këto avantazhe është mundësia për të drejtuar një biznes me shumë më pak punonjës sesa më parë. Michael Moritz, ish-kryetar i firmës së kapitalit sipërmarrës Sequoia, thotë se “do të nevojiten shumë më pak njerëz për të nisur dhe ndërtuar kompani” në të ardhmen, duke u dhënë avantazh bizneseve të reja (edhe pse ai e konsideron idenë e kompanive me vetëm një person si “hiperbolë të tepruar”).

Për kompanitë ekzistuese, rreziku i ndryshimit të modelit të biznesit dhe dobësimit të burimeve aktuale të të ardhurave krijon një nxitje të fortë për të ruajtur mënyrat aktuale të funksionimit.

Shumë prej këtyre modeleve varen drejtpërdrejt nga puna njerëzore, nga tarifat për orë të firmave profesionale te abonimet për përdorues në kompanitë e softuerit dhe matja e stafit “full-time equivalents” (FTE) që përdoret nga agjencitë e reklamave për të llogaritur tarifat.

Bradley nga McKinsey thotë se shumë drejtues të kompanive të mëdha po e shohin AI shumë ngushtë, vetëm si një mënyrë për të zëvendësuar punë ekzistuese. Në vend të kësaj, ata duhet ta konsiderojnë si ekuivalentin e “një qendre të dhënash plot me gjeni”, që mund të ndihmojë në rikonceptimin e mënyrës se si krijohet vlerë për klientët.

Lynn sjell shembullin e kompanisë së kërkimit juridik Casetext, e cila, pasi pati akses të hershëm në GPT-4 të OpenAI, “dogji të gjithë planin e produkteve” për të fokusuar AI në shkrimin e dokumenteve ligjore. Ky vendim çoi në shitjen e saj për 650 milionë dollarë tek Thomson Reuters në vitin 2023.

Është shumë e vështirë që kompani të mëdha të ndërmarrin transformime kaq radikale, shton ajo. Shpesh ato kufizohen në optimizime të vogla, në vend të një transformimi rrënjësor.

Megjithatë, valët e mëparshme të përçarjes teknologjike, si interneti, zakonisht kanë lënë më shumë hapësirë për kompanitë ekzistuese sesa pritej në kulmin e revolucionit teknologjik. Shumë tregje nuk ndryshojnë aq shpejt sa parashikojnë inovatorët, duke u dhënë kohë kompanive ekzistuese të përshtaten — ndonjëherë duke blerë start-up-et përçarëse.

Walmart, për shembull, shihej për një kohë të gjatë si viktima kryesore e rritjes së Amazon. Por Walmart vazhdon të jetë shumë i fortë, pas viteve investimesh për të rindërtuar biznesin rreth tregtisë elektronike — përfshirë 3.3 miliardë dollarë të shpenzuar për blerjen e Jet.com në vitin 2016. Pas dyfishimit të vlerës gjatë dy viteve të fundit, kapitalizimi i tregut i Walmart së fundmi kaloi 1 trilion dollarë për herë të parë.

Parashikimi i Altman se AI do t’i bëjë agjencitë e reklamave të panevojshme shihet si tepër i thjeshtë nga disa ekspertë të industrisë, edhe pse ata bien dakord se AI do të transformojë mënyrën e krijimit të përmbajtjes dhe planifikimit të fushatave.

Agjencitë e reklamave kanë tentuar prej vitesh të largohen nga modelet e tarifimit të bazuara te puna njerëzore dhe të kalojnë drejt modeleve të ngjashme me abonimet softuerike, thotë Brian Wieser nga Madison and Wall.

Sipas tij, blerja e mediave, që është bërë burimi kryesor i të ardhurave për agjencitë, tashmë është transformuar nga përdorimi i AI. “Kjo është bota ku kemi jetuar prej kohësh — gjithnjë e më shumë e bazuar në AI,” thotë Wieser.

Kompanitë që nuk përshtaten rrezikojnë të zhduken, ndërsa konkurrentët dhe klientët që përdorin efikasitetet e AI do të eliminojnë burimet e tyre të fitimit. “Ka shumë sektorë ku kompanitë fitojnë para sepse konsumatorët nuk dinë më mirë, janë dembelë ose infrastruktura nuk u jep alternativa më të mira,” thotë Wenk.

Shumë prej këtyre tregjeve të mbrojtura pritet të zhduken ndërsa agjentët e AI kërkojnë vazhdimisht alternativa më të mira për konsumatorët. “AI nuk do t’i lejojë njerëzit të fshihen,” shton ai.

Chris Varelas, bashkëthemelues i firmës së investimeve Riverside Capital, thotë se ky proces do të krijojë një barazi të ashpër në botën e biznesit. “Do t’i bëjë njerëzit e zgjuar edhe më të zgjuar,” thotë ai. “Ata që nuk arrijnë të krijojnë produkte të diferencuara do të jenë viktimat.”

Por nëse historitë e mëparshme të transformimeve ekonomike shërbejnë si udhërrëfyes, pjesa më e madhe e bizneseve aktuale do të vazhdojë të mbijetojë, ndërsa vetëm disa gjigantë të rinj të AI do të shfaqen si fituesit më të dukshëm, shkruan Financial Times.

Historia ekonomike tregon se “shumica e ndryshimeve industriale ndodhin kur kompani të mëdha të reja bëjnë gjëra të mëdha”, thotë Bradley. “Ndërsa pjesa tjetër e ekonomisë vazhdon disi normalisht.” Pas këtij “normaliteti” fshihen gjithsesi shumë ndryshime, lëvizje dhe transformime.