Vendosni fjalën kyçe....

Rama nuk ndalet së shituri idenë e tij për shembjen e Teatrit si “e mirë për publikun”


Kryeministri Edi Rama nuk ndalet së publikuari mesazhe ku e paraqet idenë e tij për të shembur Teatrin Kombëtar, si një nevojë në të mirë të publikut.

Ai ka publikuar një mesazh të aktorit Artan Imami, i cili kërkon ndërtimin e një teatri të ri mbi të vjetrin.

“Artan Imami është një tjetër protagonist tanimë i hershëm i skenës së Teatrit Kombëtar, i cili është ngjitur në atë skenë qysh “kalama”, si një ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së re të viteve ‘80 dhe sot ai ka një opinion të qartë në debatin për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar.”, shkruan Rama.

Në fjalën e tij, Imami shpreh mbështetjen e tij për kauzën e kryeministrit, duke dalë kundër kolegëve të tij.

“Shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë.”, thotë Imami.

Një ditë më parë Rama publikoi edhe mesazhin e një tjetër aktoreje që mbështet idenë e kryeministrit, Ema Andrea: “Unë do doja t’i përkisja sot, si Ema, brezit që po ndërton të ardhmen, pra të vihet një gur sot që mua të më përfaqësojë në 2220. Më pëlqen arkitektura e re, më pëlqejnë sfidat kontemporane. Jam për një teatër të ri, për më tepër kur thuhet se ka këto kushte, por tani meqë janë këto kushte dhe ne i dimë dhe po i themi hapur të gjitha kushtet, kush e mban përgjegjësinë?”

Por a është kaq “domosdoshmëri” ndërtimi i një teatri të ri mbi të vjetrin? Në kulmin e debateve, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka publikuar pamjet e Teatrit “Comico” në Sion të Zvicrës.

Pavarësisht se edhe ky teatër njëlloj si i yni është mjaft i vjetër dhe me një skenë me përmasa të vogla, dhe me vetëm 70 vende për spektatorët ai vijon që të ruhet për shkak të historisë së tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *