Administrata e Donald Trump po i kërkon Kongresit të Shteteve të Bashkuara një rritje të madhe të buxhetit të mbrojtjes në 1.5 trilionë dollarë, një nivel që do të përbënte zgjerimin më të madh të shpenzimeve ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore.
Plani përfshin financimin për sistemin e propozuar të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, si dhe rritjen e prodhimit të brendshëm ushtarak, përfshirë ndërtimin e anijeve të reja luftarake të quajtura “Trump-class”.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se rritja e buxhetit të mbrojtjes do të shoqërohet me shkurtime në agjencitë civile, përfshirë programe në fushat e klimës, strehimit dhe arsimit, sipas BBC.
Sipas dokumentit përmbledhës, këto shkurtime do të realizohen duke reduktuar ose eliminuar programe të cilësuara si “të panevojshme dhe të shpërdoruara”.
Vetë Donald Trump është shprehur se prioritet duhet të jetë mbrojtja ushtarake. “Nuk është e mundur të përballojmë të gjitha këto programe… fokusi duhet të jetë te mbrojtja ushtarake,” ka deklaruar ai.
Rritje rekord e shpenzimeve ushtarake
Propozimi parashikon një rritje prej 42% krahasuar me vitin fiskal të mëparshëm, ndërsa vetëm për Pentagonin do të shkonin rreth 1.1 trilionë dollarë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Përveç kësaj, rreth 350 miliardë dollarë të tjerë do të dedikohen për bazën industriale të mbrojtjes përmes një procedure të veçantë buxhetore në Senat.
Buxheti përfshin gjithashtu rritje pagash për ushtarakët dhe 65.8 miliardë dollarë për ndërtimin e anijeve, pjesë e asaj që Trump e ka quajtur “Flota e Artë”, që përfshin anije të gjeneratës së re si USS “Defiant”.
Konkurrenca me Kinën dhe kosto të larta
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara po mbeten pas Kinës në kapacitetet e ndërtimit të anijeve ushtarake.
Ndërkohë, projekti “Golden Dome” pritet të ketë kosto shumë të larta. Congressional Budget Office ka vlerësuar se vetëm komponentët hapësinorë mund të kushtojnë rreth 542 miliardë dollarë në 20 vite, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se kostoja totale mund të përthithë një pjesë të madhe të buxhetit të mbrojtjes në të ardhmen.
Propozimi do të duhet të miratohet nga Kongresi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u kthyer në ligj.
